Përkujtohet 92-vjetori i ndarjes nga jeta i klerikut at Shtjefën Gjeçovi

Si sot 92 vjet më parë, më 14 tetor të vitit 1929, u nda nga jeta rilindasi, etnologu, shkrimtari, arkeologu, kleriku at Shtjefën Gjeçovi.
Me përfundimin e kolegjit françeskan në Troshan, në vitin 1888 nisi studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896 u dorëzua prift dhe shërbeu në Theth, Pejë, Gomsiqe, etj.
At Shtjefën Gjeçovi, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në grumbullimin e shumë gojëdhënave dhe përgatitjen e disa monografive shkencore, përveç kësaj përktheu disa vepra të rëndësishme të letërsisë botërore. Ndër botimet e tij përmenden: “Jeta e shën Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis” (1910), “Shna Ndou i Paduës” (1912), “Atil Reguli” (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933), “Dashnia e atdheut”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut” etj.
Ndihmesën më të rëndësishme ai e dha në fushën e etnologjisë ku padyshim vepra monumentale mbetet “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Në punën e gjatë për përgatitjen e kësaj vepre ai i mblodhi rregullat dhe kanunin nga goja e njerëzve, në të gjithë rajonet e veriut ku shërbeu si prift, dhe bëri një përmbledhje shumë interesante e cila si fillim u botua në revistën “Hylli i Dritës”
Punoi si mësues për përhapjen e gjuhës shqipe dhe për shkak të veprimtarisë së tij patriotike dhe në shërbim të kombit shqiptar, më 14 tetor 1929, në një pritë të mirë përgatitur prej disa kohësh, u vra nga persona të paidentifikuar në shërbim të pushtetit jugosllav.
Shtjefën Gjeçovit i është dhënë titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Lajpcigut.
Imazhet ilustruese të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave janë pjesë e informacionit në lidhje me vrasjen e Shtjefën Gjeçovit.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.