Zgjedhjet/ Meta përsërit thirrjen: Të hetohen të gjitha fletët e pavlefshme

Presidenti Ilir Meta ripërsërit thirrjen për hetimin e votave të pavlefshme të 25 prillit, ku dolën mbi 83 mijë fletë të pavlefshme.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Meta thekson se hetimi i këtyre votave me qetësi dhe transparencë maksimale është më i vlefshëm se kurrë.

Sipas Kreut të Shtetit, “Çdo votë të numërohet dhe rinumërohet deri në fund sipas Kodit Zgjedhor!”

Mesazhi i Metës:

Falënderoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët morën pjesë masivisht në zgjedhjet e 25 prillit.

Referuar të dhënave zyrtare të institucioneve shtetërore, përllogaritet që nga rreth 2.242.147 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 1.661.885 qytetarë.

Duke patur parasysh pamundësimin e ushtrimit të së drejtës së votës edhe përmes akteve të njëanshme normative, pjesëmarrja rekord më 25 prill e mbi 74% të qytetarëve rezidentë në Shqipëri me të drejtë vote, është shprehje e qartë e përgjegjësisë së lartë qytetare për fatet e vendit.

Ndërkohë që procesi zgjedhor vazhdon, e gjithë vëmendja duhet të jetë e përqendruar në evidentimin dhe hetimin e çdo parregullsie, që ka cenuar procesin dhe deformuar vullnetin e shprehur të qytetarëve.

Numri rekord i më shumë se 5% të votave të pavlefshme, nga të cilat shumica absolute qartësisht nuk ka qenë e shprehje e vullnetshme e pavlefshmërisë, kërkon një hetim urgjent dhe serioz.

Asnjë zhvendosje fokusi, deri në fund të procesit!

I vetmi hetim i vlefshëm tani është hetimi i votave të pavlefshme!

Shashkat e provokatorëve kanë vetëm një qëllim, shpërqendrimin nga ajo që ka ndodhur në kutitë e votimit dhe gjatë numërimit.

Më i vlefshëm se kurrë, hetimi i votave të pavlefshme, me qetësi dhe transparencë maksimale!

Çdo votë të numërohet dhe rinumërohet deri në fund sipas Kodit Zgjedhor! 🇦🇱

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.