Zaev: Ruajeni ‘Open Balkan’, rruga që na çon drejt së ardhmes

Kryeministri i Maqedonisë të Veriut, Zoran Zaev, tha sot se me nismën “Ballkani i Hapur” lihet pas e shkuara e trazuar në Ballkan.

Gjatë fjalës së tij në prani të kryeministrit Rama dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, Zaev pohoi se kjo është pjesëmarrja e tij e fundit e drejtpërdrejtë, për shkak të zhvillimeve në qeverinë maqedonase.

“Më lejoni të shpreh kënaqësinë që kam në lidhje me hapat e fundit të marrë sa i përket ‘Ballkanit të Hapur’. Ne kemi suksese për të treguar, rezultate. Të tre delegacionet kanë bërë një punë të shkëlqyer. Nuk është e lehtë në BE dhe në Ballkan, por kemi hapa të dukshëm për të treguar. Kjo do të jetë pjesëmarrja ime e fundit në formë të drejtpërdrejtë, në këtë mision.

Së bashku me Vuçiç dhe Ramën treguam se tre vendet tona nuk do të mbaheshin peng në këtë proces integrimi. Ky proces mund të ndalohet në Bruksel, por europianzmi jo. ‘Ballkani i Hapur’ na ka sjellë së bashku si tre udhëheqës, kjo është miqësia e madhe që kemi mundur të krijojmë ne të tre bashkë.

Dëshiroj që t’u përçoj një mesazh të gjithëve: Ruajeni dhe zhvillojeni këtë iniciativë. Është në të mirën e qytetarëve tanë. ‘Ballkani i Hapur’ është rruga për të ecur para, rruga e duhur për në BE, është instrument që ta lëmë të shkuarën tonë të trazuar dhe të ecim drejt BE. Do të kemi suksese me këto marrëveshje. Përqasja në tregun e punës është një nga marrëveshjet. Ne do të kemi dhe një marrëveshje tjetër që ka të bëjë me numrin e identifikimit që palët kontraktuese të japin qasje për kontratën e bujqësisë, si dhe reduktim të pritjes në dogana. Vendet anëtarë të BE e kanë kuptuar të mirën e kësaj iniciative. Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më fort”, tha Zaev.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.