Demokracia/ Xhaçka: OSBE ka rol shumë të rëndësishëm

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, vlerësoi rolin e Prezencës së OSBE-së për ndërtimin e një shteti modern, demokratik, të bazuar tek sundimi i ligjit.

Xhaçka ishte e pranishme në pritjen e fundvitit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

“Shqipëria ka një eksperiencë të veçantë me OSBE. Kemi mjaft arsye për të qenë mirënjohës, sepse vendi ynë ka përfituar vërtet shumë nga mbështetja dhe bashkëpunimi me organizatën, veçanërisht në vitet më të vështira të tranzicionit ku roli i OSBE ka qenë shumë i rëndësishëm për të orientuar Shqipërinë në drejtimin e duhur në përpjekjen për të ndërtuar një shtet modern, demokratik, të bazuar tek sundimi i ligjit”, tha ministrja në fjalën e saj.

Sipas ministres Xhaçka, bashkëpunimi me OSBE-në prek fusha si drejtësia, zgjedhjet, administrata, parlamenti, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisja e mirë, liria e shprehjes dhe liria e medias, barazia gjinore, bashkëpunimi rajonal etj.

Në fjalën e saj, ajo foli edhe rreth takimit të zhvilluar me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid: “Vetëm pak javë më parë, pata kënaqësinë të takohesha në Stokholm, gjatë ministerialit të OSBE-së atje, me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid. Të dyja ishim në një mendje për punën e shkëlqyer të Prezencës në Shqipëri, por edhe për rolin unik që luan OSBE në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të sigurisë, stabilitetit dhe reformave që synojnë ta çojnë përpara rajonin në rrugën e integrimit evropian”.

Xhaçka vuri në dukje se ekzistojnë ende hapësira bashkëpunimi sa i takon të ardhmes së rajonit.

“Besoj që ekziston hapësira më domethënëse e bashkëpunimit mes nesh, duke pasur parasysh së pari, që në këtë hapësirë ndërthuren interesat dhe prioritetet tona të përbashkëta, por edhe aftësia e Shqipërisë për të dhënë një kontribut konkret e gjithnjë në rritje për stabilitetin, bashkëpunimin dhe zhvillimin e rajonit.

Dhe së dyti, si një anëtare e Këshillit të Sigurimit për një mandat dyvjeçar, Shqipëria do të ketë një rast të artë për të nxitur zhvillime pozitive në rajon, që nga tryeza më e lartë e vendimmarrjes globale”, deklaroi ministrja.

Ministrja kërkoi edhe rritjen e bashkëpunimit me OSBE-në në kuadër të Axhendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Një çështje tjetër ku shpresoj që do të mund të bashkëpunojmë ngushtë bashkë në të ardhmen është Axhenda për Gratë Paqen dhe Sigurinë, që është një nga prioritetet e agjendës sonë në Këshillin e Sigurimit, por, që vazhdon të mbetet po aq edhe një prioritet i zhvillimeve tona të brendshme. Prezenca ka luajtur padyshim një rol të posaçëm në zbatimin e kësaj agjende, të cilën përtej angazhimit në Këshillin e Sigurimit, unë e kam personalisht shumë për zemër, prandaj konsiderojeni këtë fjalë si një ftesë për që ta ndjekim këtë agjendë me një intensitet e ritëm akoma më të lartë nga sot e tutje”, tha ajo.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.