Veliaj: Kreditë e buta për familjet e reja, jo për ministra

Në një bashkëbisedim me 5 çifte të reja, të cilat kanë përfituar nga ky program social dhe sot kanë hyrë në një shtëpi të re, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se programi i kredive të buta, që zbatohet prej 5 vitesh nga Bashkia e Tiranës, po ndiqet edhe nga bashkitë e tjera.

“Jam vërtet krenar që programi i kredive të buta ka vendosur një standard, të cilin duan ta ndjekin edhe bashkitë e tjera. Gjithmonë e më shumë, Tirana po bëhet qyteti i të ardhurve. Disave mund të mos u pëlqejë, por ky është fakt, pasi në Tiranë ka më shumë mundësi, rroga më të mira, një treg më të madh, por mbi të gjitha ka edhe mundësi më të mëdha strehimi,” tha Veliaj.

Nga ana tjetër, kreu i Bashkisë së Tiranës tha se ata që sot premtojnë 1000 kredi të buta gjithsej në 4 vjet, aq sa kjo bashki jep çdo vit, kur ishin vetë në krye të këtij institucioni futën në listë vetëm ish ministra, ish deputetë e ish-zyrtarë.

“Mbaj mend ditët e para në Bashki, kur pyeta: “A është bërë ndonjëherë kjo në administratën e kaluar?” Ishte bërë në fakt njëherë, por ata që aplikonin për kredi të butë ishin të gjithë deputetë, ministra, zv/ministra, ndërkohë që programi thotë duhet të jenë çiftet e reja. Kur ti shikon që shpërblehen ministra, zv/ministra, deputetë, njerëz me 2.5 milion lekë rrogë, thua: ‘Nuk ka mundësi’! Ndaj, gjëja e parë që duhet të bënim ishte ta kthenim programin në binarë dhe pastaj të vinim edhe financat e bashkisë në dispozicion,” u shpreh Veliaj.

Ndërsa, kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Romina Kuko u shpreh se Tirana është kampione e mbështetjes dhe inicentivave për çiftet e reja. “Ne e dimë se sa e rëndësishme është që ta fillosh me këmbën e mbarë, të kesh mundësi, të kesh incentivën e duhur, që të mos mendohesh dy herë për të sjellë një fëmijë dhe për të ngritur jetën. Ne ishim shumë të kënaqur kur kaluam buxhetin pa asnjë diskutim në Këshill Bashkiak dhe mund të themi se Tirana është edhe kampione e mbështetjes së çifteve të reja. Është shumë e rëndësishme që kjo të bëhet një politikë kombëtare, jo vetëm e Bashkisë së Tiranës,” tha Kuko.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.