Takimi me ambasadorët e BE, Basha: Integrimi, prioritet kryesor i PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zbardhur takimin e zhvilluar sot me ambasadorët e BE-së.

Në këtë takim, ai ka theksuar se prioritet i demokratëve është integrimi i vendit në BE.

Basha tha se për PD-në, Bashkimi Evropian do të thotë votë e lirë, pavarësi e institucioneve dhe liri e mediave, si mënyra e vetme për zhvillimin e vendit dhe demokracisë.

Në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, Basha tha se PD do t’i shkojë deri në fund hetimit të krimeve zgjedhor dhe dënimit të fajtorëve.

“Diskutime të frytshme sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian. Integrimi evropian i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike, ndaj do të bëjmë gjithçka që vendi ynë të ecë përpara në këtë rrugëtim kaq të rëndësishëm për qytetarët tanë.

Për ne, BE do të thotë votë e lirë, pavarësi e institucioneve, liri dhe pavarësi e mediave, ndarje e politikës nga krimi dhe luftë ndaj korrupsionit. Pa këto nuk mund të ketë as zhvillim, as integrim dhe as demokraci.

25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe për Partinë Demokratike nuk mund të quhet një kapitull i mbyllur. Prandaj ne do të kërkojmë deri në fund hetimin e krimeve zgjedhore, ndëshkimin e fajtorëve dhe kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend”, shkruan Basha.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.