Sot, 7 vite nga ngritja e flamurit “Autochthonous” në Serbi

Të gjithë shqiptarët do ta kujtojnë 14 tetorin si një datë të veçantë për futbollin e jo vetëm.

Më 14 tetor 2014 në Serbi u luajt ndeshja për kualifikueset e Kampionatit Evropian, ndeshje që pati një përfundim shumë të papritur, por në të njëjtën kohë edhe të veçantë.

Teksa ishte duke u luajtur sfida midis serbve dhe kuqezinjve, në stadiumin ‘Partizani’ në Beograd, Ismail Morina, njohur nga të gjithë si ‘Ballist Morina’ futi me dron flamurin “Autochthonous”, që kishte hartën e ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe dy figurat që shpallën pavarësinë e vendit tonë Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin.

Ai moment solli trazira të mëdha mes tifozëve që mësynë fushën dhe sulmuan lojtarët shqiptarë, kur këta të fundit po mbronin flamurin nga kundërshtarët serbë.

Kjo ndeshje u ndërpre për të mos u vazhduar më, teksa ‘kuqezinjtë’ morën në tavolinë fitoren 3-0, pasi iu rrezikua jeta nga tifozeria vendase.

Ishte ai kampionat kur Shqipëria përjetoi për herë të parë emocionet e një Evropiani, të “Euro 2016”.

Shtatë vite pas asaj ngjarje, ende përmendja e atij episodi i emocionon të gjithë qytetarët shqiptarë dhe i bën të ndjehen krenarë për Kombëtaren e tyre.

Së fundmi, edhe vetë Ismail Morina e ka kujtuar me nostalgji ngjarjen që ndonëse e bëri të vuajë burgun dhe t’i rrezikohet jeta, por që qëndroi i patrembur nga dashuria që ka për Shqipërinë, duke i uruar të gjithë shqiptarët në rrjetet sociale: “Gëzuar ditën e AUTOCHTHONOUS!” Ky përvjetor i dedikohet profesionalizmit të Policisë se Kosovës”.

Ky dedikim i tij ka ardhur në një kohë kur marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë janë shumë të tensionuara.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.