Si janë raportet PD-LSI? Vasili: Jemi në një klimë të re

Petrit Vasili, nënkryetari i LSI-së komentoi situatën ku gjendet opozita aktualisht, pas përçarjes së Partisë Demokratike me përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i partisë që ai krijoi.

Vasili theksoi se klima tashmë është e re dhe shumë terma kanë ndryshuar në marrëdhëniet mes dy forcave të mëdha opozitare, ndërsa shtoi se nuk ka pasur kumunikim gjatë kohëve të fundit.

“Unë jam shumë i qartë me misionin e LSI. Nuk mund të marrë përsipër atributet dhe të flasë në emër të një force tjetër politike. Rrugën e PD s’kam pse e di unë, e dinë ata. E dyta, ky është një raport që PD e ka me qytetarët, nuk e ka me ne. Jemi në një klimë të re dhe shumë terma kanë ndryshuar. Komunikim nuk ka pasur. Ne kemi pasur një program elektoral më vete, që kishte pika sinkroni edhe me PD. Kemi zhvilluar një fushatë tërësisht në shinat tona. Kemi pasur një linjë denoncimi të fortë, por edhe çështje shumë të mëdha që e kemi denoncuar vetëm ne. Ka pasur gjëra jo të pakta që na dallonin nga PD, por kemi qenë me një identitet shumë të spikatur dhe të dalluar nga PD. Kjo linjë vazhdon”, tha Vasili.

Më tej, Vasili u shpreh se misioni i partisë ku ai bën pjesë është i qartë në opozitë.

“Janë mira njerëz që kanë besuar dhe na kanë çuar atje. Asgjë s’ka ndryshuar. Kemi një qeveri më të keqe se një vit më parë. Pas kapjes së drejtësisë, së zgjedhjeve, vjen në atë sallë në një situatë më të rënduar. Nuk ndjej keqardhje për kërkënd. Keqardhje do të ndjejë vetëm në rast se një forcë opozitare, LSI, do t’i mungojë detyrës së saj në raport me qytetarët. Për sa kohë detyra do të kryhet opozita është vlefshme. Misioni ynë është të denoncojmë në mënyrë të përditshme. Këtë e kemi bërë dhe do të bëjmë pa kthim”, u shpreh në A2 CNN nënkryetari i LSI-së.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.