Shehu: Dorëheqja e Markut nuk e dëmton PD-në, vendim personal

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka komentuar vendimin e Mark Markut, i cili hoqi dorë nga posti i deputetit të PD-së për shkak të polikës që po ndjek kryetari i i partisë, Lulzim Basha.
Shehu tha se një gjë e tillë mund të ndodhë në çdo parti të botës dhe se është vendim krejtësisht personal.

I pyetur nëse kritikat e Markut dhe “Grupi për PD-në”, që kanë kërkuar publikisht largimin e Bashës, po çojnë në një ‘shkërmoqje’ të partisë, Shehu tha se nuk shikon asgjë të tillë. Sipas tij, PD-ja është e vetmja parti që do të nxjerrë Shqipërinë nga bataku ku e ka futur ky regjim.

“Vendimet janë personale dhe në demokraci lejohen vendimet personale. Një sërë elementësh janë stabilizuar, një sërë elementësh të tjerë do të kristalizohen në mbledhjen e radhës.
Ne patëm një kongres ku gjërat u thanë hapur, edhe kritikat. Është një zhvillim që ka filluar, ka krijuar themelin dhe po vijon të rritet. Ne do të bëjmë çmos që vendi ynë të dalë nga humnera, që ky regjim po e çon çdo ditë e më tepër. Kjo gjë bëhet duke qenë prezent, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë, sheshet, parlamentin, rrugën, njerëzit dhe në këtë mënyrë e përmbushim detyrën tonë.
E para, PD-ja ka rezituar në shumë momente të vështira. Mendoj se PD-ja do të dijë të dalë dhe të bëjë ndryshimet që i duhen Shqipërisë. Unë nuk shoh shkërmoqje, shoh mobilizimin e të gjitha resurseve të Partisë Demokratike e kapitaleve të saj. Ne do të arrijmë ta nxjerrim këtë vend nga ky batak.
Partia Demokratike është një parti e hapur dhe gjithsekush ka mendimet e veta. Zgjedhjet i bën çdo individ vetë. Janë vendime personale, nuk mund të hyj në këto gjëra. Dorëheqja është një vendim personal, mund të ndodhë në çdo parti demokratike të botës. Nuk e komentoj këtë gjë që e bën një njeri kur mendon se duhet të japë dorëheqjen nga diçka.
Unë mendoj se kemi elementë të tjerë për të parë, hapjen e sezonit të ri parlamentar, strukturimin e luftës opozitare. Nuk dua të bëj asnjë analizë. Vendimet janë personale, në demokraci ka vend për to. Unë i kam dhënë mendimet e mia se ku duhet të fokusohet Partia Demokratike,” tha Shehu ndër të tjera.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.