Shehaj: PD të hapet për të vjetrit dhe të rinjtë, ja gabimet e Bashës

Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj gjatë një konference për shtyp ka treguar se çfarë do të bëjë ndryshe për të çuar PD drejt fitores, nëse ai zgjidhet kryetar partie. Sipas tij, hapi i parë, do të jetë hapja e partisë ndaj të vjetërve dhe të rinjve.

“Për të fituar zgjedhjet duhet reformuar PD, duke e hapur atë ndaj të gjithëve, të vjetërve dhe të rinjve. Vendimet duhen marrë nga anëtarët e PD-së. Votimi i listës për kandidatë të PD nga anëtarët me parimin ‘një anëtar një votë’ duhet të jetë një votim i vërtetë, jo duke pyetur anëtarët kë s’doni, por kë doni. Ata që do marrin më shumë vota do të jenë në listën e kandidatëve”, tha ai.

Duke analizuar gabimet e kryetarit aktual Basha, kandidati Shehaj renditi dy si më kryesoret.

“Basha duhet të jepte dorëheqjen dhe nuk duhet të rikandidojë. Përgjegjësitë nuk duhen kërkuar për vendimet që janë marrë gjatë fushatës, që shumë gjëra mund të ishin ndryshe, por humbja jonë i ka rrënjët në vendimet që janë marrë gjatë 4 viteve të fundit të opozitës. Arsyeja e humbjes së zgjedhjeve është djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale”, tha Shehaj.

Shehaj tha se koha e caktuar për fushatën, ku do të përcaktohet edhe kryetari i PD-së është e pamjaftueshme, por tashmë ajo është caktuar nga forumet drejtuese dhe ai nuk ka se çfarë të bëjë.

“S’ka dyshim që nuk jemi në kushte të barabarta”, tha ai.

Lidhur me marrëdhënien që do të ketë me kreun aktual të PD Lulzim Basha nëse nuk fiton zgjedhjet, Shehaj tha se nuk ka asgjë personale me Bashën.

“Nëse nuk më përjashtojnë po. Unë nuk kam inat personal ndaj Bashës, mua personalisht s’më ka bërë asgjë dhe mendoj qe Basha të mos ma marrë sikur po i bëj diçka personale. Ai ka bërë sa mundi por s’ka marrë vendimet e duhura për zgjedhjet”, tha Shehaj.

I pyetur se cili është dallimi mes tij dhe kandidatëve të tjerë për kryetar të PD, Shehaj tha se ai është i pakompromentuar dhe se qëllimi i tij kryesor është korrupsioni.

“Le ta marrim nga zgjedhjet e fundit. Jam i pakompromentuar… është e vështirë të flasësh për veten. Qëllimi im kryesor është korrupsioni, qëndrimet që kam mbajtur me oligarkinë, qëndrime që shumë pak persona i kanë mbajtur në PD.”, shtoi ai.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.