Rama për opozitën: Betejat për brava s’kanë lidhje me të ardhmen

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Edi Rama dha detaje për nismën e re për zhvillimin e këshillimit kombëtar përmes pyetësorëve që do të shpërndahen manualisht apo edhe online.

Kryeministri theksoi se kjo do të bëjë të mundur që të ndahen partitë dhe sherret dhe që t’i jepet mundësia shqiptarëve që të jenë pjesë e vendimmarrjeve. Nuk mungoi dhe komenti i tij për opozitën, për të cilën tha se betejat për brava, akuza, shpifje, konfuzion, nuk kanë lidhje me të ardhmen e Shqipërisë.

“Formati do t’iu shkojë të gjithëve, do jetë një format disponibël edhe online. Do të jetë një format në letër, për të cilin ne do të bashkëpunojmë me institucionet dhe përmes postës, pa pasur nevojë që njerëzit të paguajnë për të na kthyer mbrapsht opinionin e tyre, por do të jetë e parapaguar. Do jetë një format disponibël dhe në qendrat urbane, në pika të caktuara. Nuk kemi këtu çështje të lidhura me atë që jemi mësuar si standard kur bëjmë votime.

Këtu çështja është për të marrë një opinion. Këtu e rëndësishme është njohja nga të gjithë njerëzit e kësaj nisme, pastaj secili është i lirë të japë opinionin e tij. Përpjekja lidhet me bindjen që ne duhet të bëjmë një kapërcim të rëndësishëm për të ndarë partitë dhe sherret mes tyre, për t’i ndarë llogoret dhe kacafytjet mes tyre, për t’i ndarë tymrat e përditshme nga e ardhmja. Të gjitha këto bëhen në emër të së ardhmes, por vetëm me të ardhmen nuk kanë lidhje. Luftëra për pushtet, beteja për brava, kërcënime me çelësa, qasje me shkelma dyerve, me kriminelë, akuza, shpifje, konfuzion, gjysmë të vërteta këto nuk kanë lidhje me të ardhmen e Shqipërisë.

Ne do bëjmë çmos që të unifikojmë shqiptarët me bindjen që ndahemi patjetër në çështje politike, ndahemi në simpatira, ndahemi në votime, por në vendimet e rëndësishme ne duhet të jemi bashkë. Është reagimi i të tjerëve që do të vendosë. Do ta bëjmë çdo vit. Do jetë një institucion i ri në marrëdhëniet tona si qeveri e Shqipërisë me të gjithë qytetarët, socialistë, demokratë, pa parti, me parit, votues, jo votues, të lumtur, të zhgënjyer, vajza, djem, burra, gra, pensionistë, banorë të Shqipërisë, emigrantë”, deklaroi Rama.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.