Rama: Keqardhje për Ilirin e dikurshëm, Meta sot nuk mund të jetë më President

Ndryshe nga herët e tjera, fjala e kryeministrit Edi Rama në Kuvend ishte e shkurtër duke kërkuar që Parlamenti të votojë pro raportit për shkarkimin e kreut të shtetit Ilir Meta.

Në vetëm dy minuta, Rama tha se kreu i shtetit ka tradhtuar misionin e Presidentit dhe se ka dhunuar kufirin e ndarjes së pushteteve. Sipas shefit të qeverisë, shkarkimin e tij e kërkon 90% e popullit.

Edi Rama: Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve, demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me SHBA. Ilir Meta ka zhgarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht në mënyrë të përsëritur për tu kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbaj më në kurriz Ilir Metën duke u bërë gazi i botës në sytë e miqve të saj, dhe të vetë qytetarëve të saj. Prandaj ky Parlament sot do ushtrojë pa ngurrim vullnetin e më shumë se 90% të popullit shqiptar për ta shkarkuar Ilir Metën nga detyra. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, po Meta i sotshëm nuk mund të ketë statusin e lartë që i ka dhënë Parlamenti. Ilir Meta ka mbaruar punë me rolin që mori nga Parlamenti dhe fjalët për të si President ka mbaruar. Tani të flasë Parlamenti me votë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.