Presidenti i Italisë dekoron artistin shqiptar Olen Cesari

Violinisti shqiptar, Olen Cesari u dekorua nga Presidenti i Italisë si ‘Commendatore dell’Ordine della Stella d’Italia (Komandant i Urdhrit të Yllit të Italisë).

Ky titull i akorduar këtij artisti me përmasa botërore nga Presidenti Sergio Mattarella, i është dorëzuar artistit durrsak nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci në një ceremoni ku ishin të pranishëm personalitete të vendit, artistë të shquar dhe diplomatë.

E pranishme në këtë ceremoni ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila u shpreh se, jemi shume krenarë për Olenin, artistin virtuoz, një nga violinistët më të mëdhenj botërorë si dhe interpretues absolut, i cili e ka lartësuar emrin e Shqipërisë në çdo skenë ku ka jehuar tingulli i tij.

Edhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e pranishme në këtë ceremoni tha se, ne të gjithë jemi krenarë që një nga instrumentistët më të mirë botërorë, me vlera të rralla, i konsideruar si kompozitor eklektik dhe virtuoz në violinë dhe një artist i jashtëzakonshëm, Olen Cesari, ngre lart emrin e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë në skenat ndërkombëtare.

Olen Cesari konsiderohet si një nga violinistët më të mëdhenj në botë. Kompozitor eklektik dhe virtuoz i violinës, ai është një artist i jashtëzakonshëm.

I lindur në Durrës, ai u diplomua në moshën 14-vjeçare në Institutin e Lartë të Artit në Tiranë. Në moshën 17 vjeç u diplomua me nderime nga Santa Cecilia (deri më sot ai është violinisti më i ri me një diplomë në historinë e konservatorit romak) dhe një vit më pas në Mozarteum në Salzburg.

Olen ka luajtur në tempujt e mëdhenj të muzikës botërore, nga teatri i lashtë i Taormina në Wiener Konzerthouse në Vjenë, nga Carnegie Hall në New York në Auditorium Parco della Musica në Romë, nga Teatri Le Palace i Parisit në Teatromonumental RTVE në Madrid.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.