Këlliçi sfidon Bashën: Iki, nëse ti e mund rojen me vota

Deputeti Belind Këlliçi tha sot se është i gatshëm të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit, në rast se roja i dorëhequr i selisë së PD, nuk e mund me votë kryetarin aktual Lulzim Basha.

“Nëse në një garë politike ‘një anëtar, një votë’, roja i dorëhequr Pëllumb Matraku, që dha dorëheqjen, nuk e mund me votë Lulzim Bashën, unë Belind Këlliçi jep dorëheqjen nga mandati i deputetit. I qëndroj fije për pe kësaj që them”, tha ai.

Ai foli për aksionin e mbështetësve të Berishës për të organizuar protestën e ardhshme: “Mbetet i paqartë organizimi i protestës tjetër sepse duhet të marrim masa për t’u përballur me Edi Ramën. Zoti Berisha në Shkodër rinis turin e takimeve në 12 qarqet”.

Ndalur te akuzat për ndërtimin e një kulle në vendin ku sot ndodhet selia e PD ai theksoi se ka dëgjuar se është një projekt që kap vlerën e 1.4 milionë eurove.

“Çështja e kullave është që unë e kam parë përmes mediave. Nuk i besoj teoritë konspirative. Janë hedhur 1.4 mln euro për projektin e kullave në PD. Uroj të mos jetë i vërtetë ky projekt. Kam dëgjuar nga fraksioni i vulës që është i përfshirë Berisha. U bëj thirrje nëse kanë edhe një fakt ta bëjnë publike. Ky projekt tenton ta kthejë opozitën në kullë”, tha ai.

Këlliçi u shpreh se të hënën do të jetë në Kuvend, ndërsa shtoi se beteja e tyre në parlament do të jetë me Ramën dhe jo me Bashën.
“Kam dy festa për të qenë në festat e themelimit të PD, por besoj se do jem në parlament. Belindi është i votëbesuar për të qenë përballë Edi Ramës. Unë do të votoj pro interesit publik dhe pro qytetarëve shqiptarë dhe do mbroj interesin e qytetarëve.

Për momentin zoti Basha ka më pak deputetë se në vitin 2017 kur mori rezultatin më të ulët historik. U bëj apel kolegëve të mi të vijojnë betejën e tyre politike përballë Edi Ramës. Të mos jenë pjesë e një fasade që i jep oksigjen Edi Ramës. Ne luftën e kemi me Edi Ramën”, nënvizoi ai.

Nga ana tjetër, ai shtoi se PD e rithemeluar do të përgatitet për të pasur kandidatë në çdo bashki në zgjedhjet lokale të pjesshme. “Të jeni të bindur. PD e rithemeluar do përgatitet për të pasur kandidatë në çdo bashki”, përmbylli Këlliçi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.