Me 231 km/orë/ Polaku me “Ferrari” lëshohet në rrugët e Fierit. Ndalohet (Video)

Me patentë të falsifikuar dhe me shpejtësi gati trefish mbi limitin e lejuar, Policia e Fierit vë në pranga një 50-vjeçar nga Polonia.

Në baj-pasin e Fierit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar nëpërmjet radarit, automjetin tip “Ferrari” me targa gjermane, që drejtohej me shpejtësi 231 km/h, nga shtetasi T. S., 50 vjeç, nga Polonia.

Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Interpolin ka rezultuar se ky automjet është i shpallur në kërkim në Gjermani, për mungesë siguracioni.

Gjithashtu, leja e drejtimit që ky shtetas i paraqiti punonjësve të Policisë, ishte e falsifikuar.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. S., për veprat penale “Përdorimi i dokumenteve të falsifikuara” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.

Për këtë shtetas u vendos edhe masa administrative 80.000 lekë të rinj, për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe mungesë siguracioni.

Automjeti tip “Ferrari” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, vendas dhe të huaj, që të respektojnë sinjalistikën rrugore, pasi në të gjitha rrugë e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.