Peleshi ironizon nga Shkodra: Nuk e takova Voltanën…

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, bëri një përmbledhje të situatës me përmbytjet në vend, duke u shprehur optimist, pasi reshjet kanë pushuar dhe, sipas tij, s’ka asnjë familje të kërcënuar nga uji.

Megjithatë Peleshi tha se “bashkëpunimi me kryebashkiaken e Shkodrës nuk është në nivelin që do të donim të ishte”: “Aty ku një bashki nuk funksionon siç duhet, kompensohet me prefektët tanë”.

Ministri tha se nuk ishte btakuar me kryebashkiaken Voltana Ademi, ndonëse do të preferonte të takohej. “Mbase ka pasur angazhime të tjera të rëndësishme!”, ironizoi ai.

Duke iu rikthyer situatës, ministri Peleshi informoi se, kaskada e Drinit është menaxhuar mirë; në hidrocentralin e Fierzës ka 10 metra rezervë; parashikojmë që nuk do të ndodhë më e keqja, përmbytja e nënShkodrës dhe Bushatit; forcat e ushtrisë janë në gatishmëri të shtuar që prej dy ditësh; janë evakuuar tre familje në Lezhë dhe disa në Shkodër.

“Reshjet kanë pushuar dhe kanalet kulluese kanë funksionuar. Ka një dëmtim rruge. Prefekti më ka siguruar që i ka marrë masat dhe do të rehabilitohet shpejt. Niveli i ujit ka rënë ndjeshëm sot. Kemi disa akse ku ka dëmtime, por forcat tona janë në terren për rehabilitimin e tyre. Në Obot, kemi lënë në dispozicion mjete të rënda për të siguruar aksesin me fshatin. Kjo situatë është minore në krahasim me të shkuarën. Ka rënë niveli në urën e Mifolit dhe në Memaliaj. Reshjet e shiut do të rikthehen, duke filluar nga sot pasdite. Parashikoj që s’do të kemi emergjenca apo rrezikime të jetëve të njerëzve”, shtoi Peleshi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.