Raporti/ Skema si mund të pastrohen paratë

Pak javë më parë, institucionet pranë Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave publikuan një raport, ku evidentohej se përgjatë vitit 2021 rreziku i pastrimit të parave të pista është rritur ndjeshëm në vendin tonë.

Në atë raport renditeshin si më problematiket institucionet jo-banka dhe bankat.

Këtë rrezik të lartë që i kanoset vendit tonë e ka vënë në dukje edhe Banka e Shqipërisë, përmes raportit vjetor të mbikëqyrjes.

BSH raporton se, në vitin që lamë pas, për shkak të denoncimeve janë kryer inspektime në 109 subjekte financiare në total, ku pjesa më e madhe ishin zyra të këmbimit valutor dhe institucione të mikrokredisë.

Banka sqaron se nga këto kontrolle janë evidentuar shkelje, abuzime dhe krijim hapësirash për pastrim parash, pranda, në disa prej tyre është vendosur gjobë dhe për disa të tjera është dhënë paralajmërim me pezullim aktiviteti.

Konkretisht, BSH bën me dije se në 9 mikrofinanca është shfaqur rrezik i lartë i pastrimit të parave dhe 23 zyra këmbimi valutor janë pezulluar.

Për shkeljet e evidentuara, përveç rekomandimeve për subjekte të veçanta, janë ndërmarrë edhe masa mbikëqyrëse si ‘tërheqje vëmendjeje’ dhe ‘gjoba’. Më konkretisht, gjatë vitit 2021 janë kryer inspektime që mbulojnë fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në 109 subjekte në total, të përbëra nga 5 banka, 13 subjekte financiare jo-banka, 1 SHKK dhe 90 ZKV (prej të cilave në 15 ZKV është realizuar procesi i ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve, si rrjedhojë e mangësive të konstatuara në inspektimet e mëparshme). Nga këto inspektime, 9 prej tyre janë kryer në kuadër të bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), përkatësisht në 2 banka, 6 SFJB dhe 1 ZKV”, thuhet në raport.

Më tej, BSH tregon se në institucionet e mikrokredisë ka një sërë boshllëqesh dhe jo korrektësi, çka i bënë ato më lehtë të ekspozuara ndaj pastrimit të parave dhe mashtrimit.

Sipas Bankës Qendrore, nuk ekziston akoma një adresim i mirë nga këto subjekte që lidhen me saktësinë e raportimeve, përmirësimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit, parandalimin e rasteve të mashtrimit, forcimin e funksionit të menaxhimit të riskut, transparencën me klientët. Mungesa e këtyre kritereve bën që ndaj këtyre institucioneve të bëhen një sërë ankesash dhe denoncimesh çdo vit.

BSH thekson se, institucionet jo-banka kanë nivel shumë të ulët të transparencës ndaj klientëve.

Ndërkohë, edhe pjesa më e madhe e ankesave nga qytetarët tregojnë me fakte që kanë rënë pre e mashtrimit nga mikrofinancat: “Vitin e kaluar, por edhe në vijim, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i ka përqendruar kontrollet dhe inspektimet në subjektet financiare jo-banka (IFJB), për shkak se ka pasur edhe një rritje të ankesave për mashtrim nga këto aktivitete. Pjesë e rëndësishme e ekzaminimeve dhe çështje mjaft e prekshme në rastin e subjekteve jo-banka është edhe vlerësimi i nivelit të transparencës me klientët. Ekzaminimet kanë identifikuar disa probleme në këtë drejtim, që janë adresuar përmes rekomandimeve për subjektet”, thuhet në raport.

Niveli i rrezikut

Në të dhënat e publikuara në këtë raport evidentohet së në përfundim rezultuan me nivel risku për pastrim parash  56 institucione financiare. Prej tyre, 20  shkaktojnë rrezik të lartë dhe 36 rrezik të nivelit të mesëm.

Ndërkaq, më tutje bëhet me dije se 34 prej institucioneve në total janë mikrofinancat, nga të cilat 9 kanosin një rrezik të lartë të pastrimit të parave dhe 25 prej tyre rrezik të nivelit të mesëm. Ndaj Banka e Shqipërisë, referuar rekomandimeve të “Monyeval” kërkon që të shtohen kontrollet nga të gjitha institucionet përgjegjëse mbi aktivitetin e mikrofinancave.

Skemat abuzive

Ndër të tjera, BSH vlerëson se, institucionet jo-banka përdorin këtë mungesë transparence për të krijuar një skemë të tillë, që rëndojnë barrën e klientëve, pasi janë nënshkruar kontratat, me rregulla që nuk janë të mirëpërcaktuara që në fillim. Këtu përmendet përqindja e lartë e pagesës për kamatëvonesat.

BSH thekson se, edhe pasi u vendos një normë tavan për përmendjen e kamatëvonesave  mikrofinancat nuk e respektojnë atë. Konkretisht, norma e interesit në bankat e nivelit të dytë fillon nga 0% në gati 20%, ndërsa në institucionet jobanka norma e interesit fillon nga 3% në 38%.

Komisioni i procesimti të kredisë aplikohet për shërbimin e informimit, procesimit të aplikimit, aprovimit si dhe disbursimin e kredisë në nivele si: Kredia Basic për herë të parë, Komisioni: 5.9% -32.0%. Kredia Basic Dealer për herë të parë; Komisioni: 6.2% -21.1%. Kredia Fidel për klientë ekzistues; Komisioni: 5.9%- 28%. Kredia Fidel XL për klientë ekzistues; Komisioni: 5.9% – 31.8%. Kredia Fidel XL Extra për klientë ekzistues; Komisioni: 15.% -38%”, përcaktojnë zonat e informacionit në këto institucione.

Sakaq, nga ankesat e qytetarëve dhe gjetjet e BSH, evidentohet se gjatë rrugës për marrjen e kredisë komisionet shtohen për shërbime të tjera. Por nuk mbaron më kaq. Përveç kamatëvonesës, klienti duhet të paguajë edhe mesazhe apo letrat që i dërgon kompania për t’i rikujtuar afatin.

Sipas të dhënave, vetëm një mesazh që i dërgon jo-banka klientit, automatikisht i shtohen atij si kosto në kamatëvonesë 200 lekë, ndërsa për letrat e dërguara shtohen si kosto 750 lekë. Pra, më shumë se 2 mesazhe dhe 4 letra brenda 30 ditëve, në dy muaj vonesë, klienti duhet të paguajë 4000 mijë lekë vetëm për paralajmërimet që i dërgohen. 

Gjithsesi, pavarësisht këtyre shifrave vërehet se në vitin që lamë pas mikrofinancat janë shtuar si institucione, duke shkuar në total 35 të tilla. Ndërsa gjatë këtyre dy viteve të fundit nuk është marrë asnjë masë ndaj këtyre institucioneve abuzuese.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.