Ish-kryeprokurori/ Llalla: Vendimi për mua u mor jashtë sallës së gjykimit

Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, tha se vendimin për dënimin me burg e priste. Ai tha se vendimi është marrë jashtë sallës së gjykimit prej kohësh.

“Të jem i sinqertë. Një vendim të tillë e prisja. Është një vendim që u mor jashtë sallës së gjykimit, prej shumë kohësh. Dukej se një vendim i tillë ishte marrë dhe u formalizua në sallën e gjykimit.

Normalisht nuk ndihem mirë. Nuk ka si ndihet mirë një njeri që është dënuar për një vepër që nuk e ka kryer. Por krahas vetes ndjej se sistemi i drejtësisë po shkon drejt një modeli tjetër të zhvillimit, ku në shumë raste vendimmarrjet merren jashtë sallën së gjykimit për të plotësuar tekat, dëshirat, mllefet e individëve të caktuar.

Hetimet ndaj meje filluan për korrupsion dhe për disa vepra të tjera penale. Nuk u la veprim hetimor pa u bërë për të verifikuar nëse kishte korrupsion apo jo. Përfundimi ishte se prej meje, akuza mendoj se shkoi në mos deklarim të pasurive dhe për asnjë vepër tjetër penale. Vepër për të cilën jam edhe dënuar në pritje për të ndjekur ecurinë e mëtejshme të procesit.

Normalisht këto janë kostot e pushtetit, por në bindjen time, në punën time kam qenë gjithmonë i sigurtë që nuk ka pasur asnjë veprim të kundërligjshëm, aq më tepër për korrupsion apo vepra të kësaj natyre.

Do të bëj një përmbledhje të asaj çfarë aludohet në lidhje me pasuritë e mia. Bëhet fjalë për një apartament banimi 60 metra katrorë në qytetin e Durrësit, 22 mijë metra katrorë tokë arë në një fshat të largët të Tiranës dhe kati i 3-të i banesës, ku unë jetoj prej mëse 20 vitesh.

Sipas akuzës edhe më pas të gjykatës, asnjë prej meje nuk pati pretendime nëse këto pasuri ishin deklaruar, prona që unë i kam dhe i kam deklaruar.

Pretendimi i akuzës është që nuk është deklaruar vlera reale e ndërtimit të këtyre pronave. Akuzë që e bazojnë vetëm në një akt-ekspertimi teknik e kryer nga një eksperte e zgjedhur nga prokurori, pa kryer asnjë veprim tjetër hetimor.

Kjo u mor për bazë dhe mbi bazën e këtij ekspertimi gjykata arriti në konkluzionin që unë kam kryer këtë vepër penale. Akt që është kryer në mënyrë të njëashme dhe në provat e reja që dolën gjatë gjykimit, e sillte të domosdoshme kryerjen e një akti tjetër ekspertimi.

Gjykata nuk mori në konsideratë vetëm me qëllimin që ti referohen këtij akti që në përfundim të gjykimit të gjindej shkaku që të më deklaronte fajtor.

Këto pasuri janë të siguruara nga burime të ardhurash legjitime, të verifikuara, kontrolluara prej 3 vitesh nga hetimi. I vetmi pretendim në rastin tim, bazohet në rastin e rivlerësimit, në bazë të të cilit pretendohet se këto prona kanë vlerë më të lartë dyfish se sa i kam deklaruar unë”, tha LLalla.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.