Rama: Aspirata ime, bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama, i pyetur në emisionin ‘Zonë e Lirë,’ se kur do të largohet nga politika, apo nëse ka ndonjë ide mbi këtë, ai u shpreh se aspirata e tij është të shohë gjatë qëndrimit të tij në politikë realizimin e ëndrrës së shqiptarëve, bashkimin Shqipëri-Kosovë.

“E shoh veten diku tjetër pas 2030. Dua të kem të drejtën për të pasur një pjesë të fundit të rrugëtimit tim ku të marr frymë i çliruar nga superngarkesa e kësaj pjese të rrugës.

Në këtë pozicion qëndrohet kur ke të gjithë zjarrin e nevojshëm brenda. Unë mendoj që është e mjaftueshme për mua, por dhe për të gjithë të tjerët që shërbimet e mia të kenë një limit. Përtej atij limiti t’u kthehem pasioneve që janë të rëndësishme.

Kur ikën Edi Rama? Unë President i Shqipërisë dhe i Kosovës? Nuk është në planet e mia. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, po. Është aspiratë”, tha Rama.

Moderatori e pyeti nëse ka menduar të bëhet mbret, por sipas Ramës “mbretëria është e trashëguar dhe do gjak mbretëror”, që ai nuk e ka.

“Nipat e shoferit nuk bëhen mbretër, se nuk kanë gjak mbretëror. Më mungon një gjë që nuk kam se si e gjej. Kështu që Mbretëri s’ka. Këto mbretëritë që thua ti janë den baba den”, ka shtuar Rama.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.