‘Kriminel që fëmijë’/ Në 7 muaj, 1000 të dyshuar

Çdo vit e më shumë, të miturit po përfshihen në krime. Për periudhën janar-korrik të këtij viti janë evidentuar 1008 të mitur si autorë të dyshuar të veprave penale.

“Tipologjia që vëmë re ne si institucion është se të miturit autorë të veprave penale nën 14 vjeç zënë rreth 37 % të totalit të të miturve të përfshirë. Shumica e tyre në tërësi përfshihen më së shumti në krimet kundër pronës, në vjedhje por edhe në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, drejtojnë automjete pa patentë”, thotë shefja e sektorit për të miturit dhe dhunën në familjet, Silvana Alimadhi.

Sipas të dhënave të policisë, përfshirja e të miturve në krime në 7 muajt e parë të këtij viti, përbën 5 % të numrit total të veprave penale që janë kryer në Shqipëri.

“Numrin më të madh të të miturve që përfshihen në krime e shikojmë në zonat urbane, në qytete por nuk përjashtohen edhe zonat rurale”.

Kodi penal i drejtësisë për të miturit favorizon këtë kategori, duke u lehtësuar pozitën penale, por kjo mund të shfrytëzohet nga të rriturit.

“A përdoren të miturit nga grupe kriminale, po mund të përdoren nga të rriturit, ne kemi 16 procedime penale ndaj personave për shtyrje të të miturve në krim. Sa i takon narkotikëve, prodhimit dhe shitjes, është relativisht i vogël në numrin total por ekziston”.

Policia e Shtetit shikon tek oficerët e sigurisë në shkolla, figurën kyçe në parandalimin e përfshirjes së të miturve në krime ndaj dhe në strategjinë e re do të kërkohet fuqizimi i rolit të tij.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.