GJK rrëzon PD-në për komisionin ‘Beccheti’

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar në seancë publike çështjen “Beccheti”, kërkuar nga një grup deputetësh të PD-së.

Objekti i kërkesës ishte: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë; deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 80/2021 të Kuvendit të Shqipërisë ‘Për mosmiratimin e projektvendimit ‘Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e Arbitrazhit ‘Beccheti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje Gjykata Kushtetuese konstatoi se nuk u arrit numri i kërkuar i votave për vendimmarrje, sipas nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, në lidhje me legjitimimin e ¼-ës të deputetëve që kanë vënë në lëvizje gjykimin kushtetues në raport me ¼-ën e deputetëve që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.