Kolegji shqyrton kërkesën e PD për përjashtimin e 7 nga 8 gjyqtarët që ka

Kolegji Zgjedhor ka nisur mbledhjen, ku do të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve po të Kolegjit, nga 8 që janë në total.

Vetë përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, ka bërë me dije se mbledhja ka nisur që në orën 08:30 të mëngjesit të sotëm, ku gjyqtarët do të shqyrtojnë mbi një kërkesë për përjashtimin e vetes.

Këtë gjë, Logu e konsideron një akt unik në historinë e jurisprudencës botërore.

“Me urgjencë të paparë, sot në 08:30, Kolegji Zgjedhor ka vendosur të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve (nga tetë) për shkak të cenimit të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Shpresoj shumë që 7 gjyqtarët e Kolegjit nuk do t’i shkojnë deri në fund paligjshmërisë, duke gjykuar vetë mbi një kërkesë për përjashtimin e tyre (gjyqtarë të vetes). Ky do të ishte një akt unik në historinë e jurisprudencës botërore”, shkruan Logu.

Partia Demokratike kërkoi dje përjashtimin e 7 nga 8 gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor. Sipas PD-së, gjyqtarët Alma Kolgjoka, Asim Vokshi, Emona Muçi, Esmaralda Çika, Gentjan Medja e Manjola Xhaxho dhe Sokol Ibi nuk garantojnë paanshmëri në gjykim për gjashtë paditë që pritet të shqyrtohen në ditët në vijim. Deri më tani, Kolegjit Zgjedhor kanë vulosur rezultatet në tre qarqe.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.