Kim jep mesazhin për bashkëpunim PS-PD: Duhet punë për reformën territoriale

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, pas takimit me Lulzim Bashënu shpreh se PD-në e presin shumë sfida përpara, mes të cilave edhe ajo për reformën territoriale, duke dhënë në këtë mënyrë mesazhin e bashkëpunimit mes dy partive kryesore PS-PD.

“Përpara ditëve, javëve e muajve, mbetet shumë punë për t’u bërë. Është vërtet thelbësore dhe e shkëlqyer që PD është rikthyer në Kuvend me forca të plota. Ka gjithashtu veprime që duhen ndërmarrë për t’u siguruar që do të kemi zgjedhje më të mira herën e ardhshme. Për të trajtuar të gjitha mangësitë që janë identifikuar në raportin e ODIHR. Ka gjithashtu punë që duhet bërë për sa i përket reformës territoriale dhe korrupsionit.

Dhe e gjithë kjo kërkon që të ketë një PD të fortë dhe të bashkuar dhe të bëjë përpara, por nuk mund të bëhet përpara nëse njëra këmbë ka mbetur në të shkuarën. Dhe kështu si gjithmonë ne presim që të ecim përpara me Shqipërinë, me popullin, me PD, drejt të ardhmes. Le të ecim përpara”, u shpreh ambasadorja Kim.

Partia Demokratike ka vendosur reformën territoriale si një nga shtyllat e aksionit opozitar në legjislaturën e re që nisi pak javë më parë. Por nga ana tjetër edhe Partia Socialiste nuk e mbylli derën për ndryshimet.

“Asnjë çështje nuk është tabu për t’u diskutuar. Kur njerëzit heqin kushtet, ulen bashkë për parimet dhe qëllimi do të jetë që cila është ajo gjë që do të jetë në të mirë të Shqipërisë” tha kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla ditën e djeshme pas seancës plenare.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.