Katër vite pa Agollin, Veliaj: Do të hapim shtëpinë muze

Dritëro Agolli, kolosi i letrave shqipe mbylli sytë më 3 shkurt 2017 në moshën 86-vjeçare.

Shkrimtar, publicist, gazetar dhe politikan që ka lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore për vendin.

Katër vite pas humbjes së tij, shtëpia e të madhit Dritëro do të kthehet në muze.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shkruan se gjithçka është në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi dhe shkroi veprat e paarritshme.

“Sot bëhen 4 vite pa Dritëroin e madh! Jemi në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në ‘Rrugën e Dibrës’, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme – aty, në ndonjë raft, do ta kërkojmë e rilexojmë”, shkruan Veliaj.

Edhe vajza e Agollit, Elona, përmes një postimi në rrjetet sociale bën të ditur lajmin.

“Më 28 janar 1974 përmes këtij autorizimi, babit iu dha e drejta e strehimit në Pallatin 85 në ‘Rrugën e Dibrës’ (atëherë quhej rruga “Bajram Curri”). Derisa mbylli sytë jetoi në këtë apartament. Tanimë, do të kthehet në shtëpi muze”, shkruan ajo në “Facebook”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.