Java e Kulturës Turke, nga vallet tek kulinaria

Java e Kulturës Turke që nisi më 29 qershor dhe do të vazhdojë deri më 7 korrik do të përfshijë aktivitete të ndryshme mbi promovimin dhe prezantimin e kulturës turke në disa qytete të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama shpërndau në rrjetet sociale pamje nga aktivitetet që po zhvillohen në kryeqytet përgjatë kësaj jave.

‘Shqipëria mikpret Turqinë’ deri më 7 korrik, një larmi aktivitetesh në javën e Kulturës Turke, ku do të mund të zbuloni esencën e traditës dhe kulturës së Turqisë që nga vallet, muzika, letërsia, kinematografia e deri te kulinaria, – shkruan Rama.

Në ditët në vazhdim do të organizohen aktivitete në Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Elbasan, me fokus promovimin e kulturës, artit dhe gastronomisë turke.

Të parët që hapën këtë udhëtim më 25 prill ishin francezët, për të vijuar me Bashkimin Evropian; më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britania e Madhe, Suedia, Egjipti, Kina, Gjermania, Japonia, Austria, Turqia, Hungaria, Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa do të përmbyllet me një festë, me rastin e Festave të Nëntorit me Kosovën.

Për 17 javë, Javët Kulturore Ndërkombëtare do të sjellin në vendin tonë një larmishmëri kulturash.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.