Holanda: Sa më shpejt hapja e negociatave me Shqipërinë

Pak ditë më parë Holanda i dha ‘dritën jeshile’ Shqipërisë duke zbutur skepticizmin e saj prej vitesh në lidhje me negociatat Shqipëri-BE.

Këtë qëndrim e konfirmoi po sot edhe ministrja e Jashtme holandeze, Sigrid Kaag, para Parlamentit, ku tha se “Konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë mund të ndodhë sa më shpejt, që të arrihet marrëveshja mbi kornizën negociuese me Shqipërinë”.

Qeveria e Holandës është dakord që Konferenca e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian të mbahet sa më shpejt, ndërsa ministrja ka vlerësuar përparimet e bëra mbi reformat dhe luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, shtoi ajo, shqetësues mbetet numri i ulët i dënimeve për zyrtarët e lartë.

‘Pritet që një numër shtetesh anëtare të bëjnë përsëri presion për mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Qeveria mirëpret përparimin e bërë së fundmi nga Shqipëria me reformat mbi temat prioritare, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Statistikat tregojnë gjithashtu progres në këtë fushë, por megjithatë numri i dënimeve të zyrtarëve të lartë, mbetet një shqetësim. Qeveria miraton përfundimin e Komisionit se Shqipëria tani ka bërë përparim të mjaftueshëm në këto kushte. Ky përfundim ndahet nga vendet anëtare që, ashtu si Holanda, ishin ende kritike një vit më parë.

Si pjesë e qasjes së rreptë dhe të drejtë të qeverisë për zgjerimin e BE-së, Konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë mund të ndodhë sa më shpejt, që të arrihet marrëveshja mbi kornizën negociuese me Shqipërinë’, tha ministrja holandeze në lidhje me raportin që i është dorëzuar para pak ditësh Parlamentit.

Raporti i qeverisë holandeze pritet që më 16 qershor të dërgohet për votim në Parlament që do t’i japë vulën përfundimtare qëndrimit të këtij vendi.

Në raport vihet në dukje edhe përplasja mes Bullgarisë e Maqedonisë së Veriut, përplasje që po bëhet pengesë për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare edhe për Shqipërinë, pasi nisja e negociatave mes dy vendeve po trajtohen në bllok, pra të dyja së bashku.

“Nuk ka ende marrëveshje mbi draftin temave që do të diskutohen për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, për shkak të një mungesës së miratimit të një shteti mbi pikat për Maqedoninë e Veriut”, tha ministrja e Jashtme holandeze.

Holanda, prej vitesh, është një prej shteteve më skeptike dhe ka penguar hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Megjithatë, përpos zbutjes së qëndrimit të saj, Holanda ka disa rekomandime ku kërkohet më shumë punë në drejtim të forcimit të institucioneve dhe se politikanët dhe qytetarët duhet të mësohen me pavarësinë e gjyqësorit, të përfundojë Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të plotësohen të gjitha vendet e lira në fushën e drejtësisë.

Më 22 qershor pritet mbledhja e Këshillit Evropian, ku Unioni do të vendosë nëse do të ketë apo jo një datë për Konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sot nga Tirana, komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi tha se Unioni po punon edhe pas kuintave për të arritur që Bullgaria të mos pengojë një vendimmarrje pozitive për Maqedoninë e Veriut.

Disa ditë më parë edhe ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, tha nga Tirana se, për Gjermaninë përcaktimi i datës së Konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat e BE-së me Shqipërisë duhet të merret sa më shpejt, pasi Shqipëria i ka plotësuar kushtet.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.