Dumani tregon kush i vendosi tritol shtëpisë së Çelës

Nuredin Dumani, tashmë pas hekurave, ka rrëfyer para prokurorëve të SPAK edhe momentin kur i është vënë eksploziv shtëpisë së Talo Çelës, të cilin dikur e kishte mik.

Ai ka treguar se ishte organizatori i vendosjes së eksplozivit në shtëpinë e Talo Çelës, por nuk ishte ai që kreu atentatin, pasi në atë kohë ndodhej në Kosovë.

Dumani ka thënë se këtë atentat e ka bërë për llogari të Arjan Spahisë, i cili kishte dhënë 15 mijë euro.

Por në pamundësi për ta vendosur vetë eksplozivin Dumani ia ka lënë porosi Henrik Hoxhajt, i cili sëbashku me Skerdi Tasin kanë shkuar në mëngjes në shtëpinë e Talos dhe vendosën tritolin në dy shtylla të shtëpisë, por që ka rezultuar dështim, pasi banesa nuk ka rënë e gjitha në tokë siç ishte planifikuar, por ka patur vetëm thyerje xhamash dhe disa dëme të tjera.

Dumani thotë gjithashtu se Talo Çela nuk ndodhej në banesë.

……Një ngjarje tjetër për të cilën dua të jap shpjegime është rasti kur i kam vënë eksploziv shtëpisë së Talo Çelës. Këtë ngjarje e kam organizuar unë për llogari të Arjan Spahisë. Fillimisht kam siguruar një sasi lënde plasëse prej rreth 5 kg. Lëndën plasëse nuk jam i sigurtë se ku e kam gjetur, por di që e kam blerë. Lëndën plasëse e kam marrë të përgatitur me sa mbaj mend tek kushëriri i Elio Bitrit, për të cilin kam dhënë shpjegime më lart. Pasi sigurova lëndën plasëse, kam biseduar me Henrik Hoxhajn (Riku), të cilit i kam ofruar 15.000 euro që të bënte vendosjen e eksplozivit. Riku pranoi dhe di që e ka kryer vendosjen e eksplozivit së bashku me nipçen…. Faktikisht nga shpërthimi nuk u shemb e gjithë shtëpia. Riku me ka thënë se e kishte ngjitur eksplozivin në dy kollona të banesës së Talo Çelës. Në kohën që është vënë eksplozivi, unë isha në Kosovë dhe me Rikun komunikoja në telefon me aplikacionin Sky. Për këtë ngjarje unë i kam dhënë Rikut shumën prej 15.000 euro. Pagesën ma ka dhënë Arjan Spahiu i cili më dha 20.000 Euro dhe gjithë shumën unë ja dhashë Rikut. Riku më ka thënë se paratë i ka marrë nga i njëjti person që i kishte marrë edhe në rastin e vrasjes së Emiljano Ramazanit. Unë u nxeha me Rikun, duke i kërkuar llogari përse nuk e kishte kryer punën tamam dhe ai e pranoi gabimin”, ka thënë Dumani

Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje ka dëshmuar edhe vetë Henrik Hoxhaj, i cili ka konfirmuar gjithçka që ka deklaruar Dumani.

Në Elbasan unë kam kryer edhe një vepër tjetër konkretisht në vitin 2020. Koha e saktë nuk më kujtohet. Kam vendosur lëndë eksplozive në banesën e shtetasit Talo Çela. Nuredin Dumani më ka kërkuar të vendosja lëndë eksplozive tek shtëpia e Talos, e cila ndodhet në Bradashesh tek ura, pa vajtur tek magazina e Dines. Për këtë gjë, Nuredini më ka ofruar shumën 15-20 mijë euro. Nuk e kujtoj shumën e saktë për momentin. Unë e kam marrë përsipër ta kryeja. Kam porositur një sasi lënde eksplozive, mund të ketë qenë rreth 500 gramë e përgatitur me kapsollë detonatore e me fitil që ndizej me zjarr. Lëndën eksplozive ma ka përgatitur një person, të cilin nuk e njoh me emër, pasi nuk kam dashur të hyj në muhabet me të. Bombat e përgatitura kanë qenë dy, pasi kemi dashur ta rrëzojmë shtëpinë nga themelet. Pasi kisha marrë bombat e përgatitura jam nisur nga Tirana me një automjet ‘Hyundai’ të cilin e kisha marrë me qera. Kam qenë në makine së bashku me shtetasin Skerdi Tasi. Në orët e para të mëngjesit kam arritur tek shtëpia e Talos, e cila ishte dy-katëshe dhe e braktisur. Kam qëndruar tek makina me pistoletë në dorë, ndërsa Skerdi ka vendosur bombat, njërën tek kollona e parë dhe tjetrën tek e dyta, dhe i ka vënë flakën fitilit. Pasi Skerdi ndezi fitilin menjëherë jemi larguar me automjet drejt Tiranës dhe para se të hynim në tunel, tek rrotondo kam ndaluar mjetin pasi doja të dëgjoja shpërthimin. Pasi e kam dëgjuar shpërthimin, jam nisur për Tiranë bashkë me Skerdin”, ka deklaruar Hoxhaj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.