Dosja/ Klosi: Kur Meta merrte urdhra nga Berisha

E ndërsa në Shqipëri zien debati nëse ish-Presidenti Ilir Meta ka qenë apo jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, një tjetër çështje që po komentohet gjerësisht në media, korridoret e politikës dhe nga vetë qytetarët është raporti mes kreut të Partisë së Lirisë dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili duhet theksuar që është i shëndetshëm, pavarësisht disa krisjeve në kohë të ndryshme.

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, thotë se ish-Presidenti Meta dhe ish-kryeministri Berisha kanë pasur kontakte që në vitin 1997.

Klosi ka zbuluar se, si përmes përgjimit të një telefonate u arrit të verifikohej se Meta, në vitin 1997 ka qenë nën urdhrat e Sali Berishës.

“Në vitin 1997 ka pasur një telefonatë të ambasadorit italian Foresti në atë kohë me Tritan Shehun dhe në ato telefonata u zbulua krejt rastësisht se Ilir Meta merrte porosi nga Sali Berisha. Zbulimi i asaj telefonate ka qenë një rastësi e madhe. Janë ato telefonat shtëpiakë që punojnë me valë dhe një telefon me të cilin po bëhej biseda nuk punonte mirë, kështu që biseda dëgjohej edhe nga telefona të tjerë dhe u kap fare rastësisht. Aty u zbulua që Berisha i jepte porosi Ilir Metës”, tha Klosi për gazetën SOT.

Më tej, ish-kreu i Shërbimit Sekret ka folur dhe për aleancën Meta-Berisha në vitin 2013. Klosi në atë kohë ka qenë pjesë e LSI dhe ka dhënë shumë detaje.

Ai ka hedhur dyshime se Berisha e ka pasur në kontroll Metën që pas ngjarjeve të Poliçanit. Për të gjithë atë që nuk e dinë, në vitin 1992 u tentua arrestimi i Ilir Metës, pasi u akuzua si organizator i protestës së armatosur te Uzina Ushtarake në Poliçan.

“Ilir Meta po e kopjon Sali Berishën. Meta nuk ka qenë kështu. Kam pasur bashkëpunim kur ka qenë kryeministër dhe më ka pëlqyer. Meta ka ndryshuar goxha. Ja sot merr nisma të tilla që mua si qytetar më turpërojnë. Meta po bën nisma që Berisha i ka bërë. Tani ata janë aleatë dhe janë aleatë të vjetër. Për Metën e di që, në historitë e famshme të Poliçanit që ai ka qenë në influencën e Berishës. Nuk e di nëse është kërcënuar apo ka qenë një marrëveshje për mbështetje reciproke. Kam parasysh ditën e fundit që LSI bëri koalicion me Berishën. Dritan Prifti bëri deklaratë që do bashkohej me Berishën dhe i kërkuam llogari Metës. Ai na tha që jo nuk shkojmë me Berishën, por të nesërmen pamë nga televizionet që Meta bëri koalicion me Berishën”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Klosi ripërsëriti bindjen se bashkëpunimi mes Metës dhe Berishës është i hershëm: “Po, është e vërtetë në fakt. Kjo është një deklaratë që është bërë nga të tjerë persona dhe unë e përsërita. Berisha dhe Meta kanë bashkëpunuar prej kohësh bashkë”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.