Do përfaqësojnë Shqipërinë në KS, nis intervistimi i kandidatëve

Ministria e Punëve të Jashtme ka nisur sot intervistat me kandidatët për Ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit, të cilët do të vlerësohen nga një Komision i përbërë nga disa nga diplomatët më me përvojë të MEPJ dhe një përfaqësuese e lartë e Këshillit të Ministrave.

Ministrja, Olta Xhaçka, në një postim në facebook thotë se kjo ishte dita e parë e një procesi që do të përmbyllet në fund të kësaj jave, për shkak të numrit të lartë të aplikimeve si nga përfaqësues të Shërbimit të Jashtëm, ashtu edhe nga kandidatë nga qytetarë e qytetare shqiptare nga mbarë bota, ekspertë e profesionistë, që kanë shprehur vullnetin të kontribuojnë duke përfaqësuar vendin e tyre si pjesë e Ekipit.

“I falenderojmë të gjithë ata që kanë aplikuar për dëshirën dhe vullnetin e mirë. Ekipi që do të dalë në fund të këtij procesi do të jetë zëri dhe fytyra e shqiptarëve në Këshillin e Sigurimit prandaj do të bëjmë çdo gjë që shqiptarët të përfaqësohen në këtë moment historik vetëm nga profesionistët më të mirë” shkruan Xhaçka.

Shqipëria u zgjodh me 11 qershor anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo shënon herën e parë të përzgjedhjes në këtë funksion, pas 65 vitesh nga anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Shqipëria mori 175 vota. Votimi ishte i fshehtë.

Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qënë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarë aktualë, Estonia, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizia dhe Vietnami.

Mandati i anëtarëve të rinj fillon më 1 janar 2022 dhe do të shërbejnë deri në 31 dhjetor 2023. Pesë shtetet e tjera në grupin e 10 anëtarëve jo të përhershme janë India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia.

Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.