Dha dorëheqjen, Mano: Basha nuk lejon asnjë zë kritik në parti

Ish-kryetari i Partisë Demokratike në Korçë, Andrea Mano, i cili vetëm dy ditë më parë dha dorëheqjen nga ky funksion së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Devis Osmani dhe 13 anëtarë të Kryesisë së kësaj dege tha se, Basha tregoi arrogancë ndaj nesh dhe vendosi nga Tirana, të afërm të tij, pa marrë parasysh mendimin e degës së Korçës dhe pa pyetur askënd. Mano tha se Korça nuk ka pasur përfaqësinë e duhur në zgjedhjet e 25 prillit, duke shtuar se madje u krijuar një përçarje ndërmjet strukturave të PD-së dhe të deleguarve të qarkut.

Sa i takon analizës së degëve për zgjedhjet e 25 prillit nga ana e PD-së, Mano theksoi se ato nuk janë në dijeni të asnjë analizë, duke mos pasur asnjë informacion të shkruar dhe se askush nuk është pyetur.

“Unë si anëtar i Këshillit Kombëtar kemi parë gjatë situatës parazgjedhore dhe pas zgjedhjeve një arrogancë nga ana e kryetarit Basha që është treguar. Ne kemi menduar se mund të kishte një reflektim nga ana e kryetarit qoftë kjo pas humbjes, pamë që kjo nuk ndryshoi. Meqenëse projekti jonë nuk ishte i duhuri për Lulzim Basha vendosëm të japim dorëheqjen nga funksionet tona në kryesi dhe jemi anëtar të thjeshtë.

Kur ke degë që kanë kapacitete për t’u përfaqësuar më së miri nuk mund të marrësh vendime nga Tirana pa pyetur askënd dhe për të vendosur njerëz të afërm pa marrë parasysh mendimin e degës. Kjo është shpërfillje, që na bëhet është arrogancë dhe është përgjegjësia e Bashës. Ne nuk dimë asgjë në lidhje me analizën, nuk është pyetur askush as se kush e shkroi. U bë një analizë nga kryetari i qarkut ku nuk kemi asnjë informacion se çfarë është shkruar. Ne mendojmë se ka pasur një problem për sa i përket përfaqësimit dhe nuk ka pasur një përfaqësim të duhur për gjithçka. U fut përçarje në degën e Korçës. Ndërmjet strukturave të PD-së që i deleguari i qarkut i futi në degën e Korçës. Kishte një mënyrë autoritare në mënyrën e bërjes së fushatës.” tha Mano.

Mano e konsideroi dorëheqjen e tij si një gjë normale në një sistem demokratik dhe madje edhe kryetari i Partisë Demokratike duhet të kishte dhënë dorëheqjen pasi humbi zgjedhjet dhe përgjegjësia bie direkt mbi të. Mano tha se Basha tashmë e ka çdo gjë nën kontroll dhe asnjë mendim kundër apo kritik nuk merret parasysh.

“Dorëheqjet duhet të jenë akta normale dhe duhet të ishte gjëja e parë që duhet të kishte bërë kryesia e PD dhe vetë kryetari, duhet të merrte përgjegjësinë dhe të jepte dorëheqjen. PD sipas mendimit tim duhet të rikonceptojë qëndrimin mbi rezultatin e humbjes së 25 prillit. Duhet të bëhet një analizë pse humbën zgjedhjet. Deri sot askush nuk i ka përmendur! Nëse do të kishim përfaqësues më të mirë do të ishte rezultati më i mirë. Basha i vendosi i vetëm, qoftë edhe drejtuesit e qarqeve qoftë edhe listën për deputet. Veproi njëlloj si në 2021. PD duhet të ketë një demokraci të brendshme. Asnjë nga mendimet ndryshe nuk u mor parasysh dhe u morën parasysh vetëm kërkesat e kryetarit. Po shkojmë në një parti ku çdo gjë e ka në kontroll kryetari dhe ai nuk mban asnjë përgjegjësi.” tha Mano.

Sa i takon rizgjedhjes së Bashës në krye të PD-së, Mano tha se kjo gjë ishte e mbaruar në fillim, madje dhe ato që ishin në garë e dinin rezultatin.

“Nuk kam koment për mua nuk kishte zgjedhje ai proces ishte i mbaruar deri në fillim. Edhe ato që janë futur në garë e kanë ditur se rezultati dihej, që para se të fillonte gara.”- tha Mano.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.