Brataj: Covid-19, në “vdekje klinike”. Ende larg imunizimit

Një pacient i shtruar në spitalet COVID në vendin tonë i kushton shtetit rreth 500 euro në ditë.

Duke përllogaritur që në rastet e rënda, pacienti qëndron mbi 20 ditë në spital, atëherë kjo kosto shkon drejt 10 mijë euro, vetëm për një pacient.

Përmjet kësaj llogarie, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj thotë se është e mjaftueshme për të kuptuar përse është bërë vaksina me detyrim, pasi mes këtyre refuzimeve nga individë të caktuar, shteti e ka për detyrë të mbrojë shëndetin e qytetarëve, për të mos shkuar më pas vendi në një kolaps, ku askujt të mund të mos i jepet një ndihmë.

“E dini sa i kushton shtetit një pacient i shtuar? 500 euro në ditë. Një person i formës së rëndë kalon 20 ditë, bëjini llogaritë vetë. Kush përgjigjet? Eshtë shteti”, tha Brataj.

Sipas tij, vendi ynë akoma nuk ka arritur deri në masën e 70% të imunizimit të popullsisë.

Brataj dha ndërkohë një lajm të mirë se Covid-19 po pëson “vdekje klinike” dhe tregues për këtë është edhe fakti që aktualisht po dominon varianti “Delta”, dhe nuk po del një variant tjetër më i fortë për ta thyer.

“Akoma nuk kemi kapur 70% të imunizimit të popullsisë. Virusi po shkon drejt ‘vdekjes klinike’. Fakti që po predominon ‘Delta’ tregon se nuk po del një mutacion më i fuqishëm se ky variant. Vetë natyra e virusit që ka për natyrë ndryshimin po shkon drejt vdekjes klinike”, tha ai.

Brataj ka komentuar edhe grumbullimin e 22 mijë tifozëve në stadium, ku tha se duhej të ishte kërkuar maska me detyrim në hyrje, në një kohë që ruajtja e distancës ishte e pamundur. Një gjë e tillë, – shtoi Brataj – do të ketë pasojë në rritjen e rasteve me Covid, por shtoi se faji nuk është vetëm i organizatorëve, por edhe i vetë qytetarëve që kanë përgjegjësi individuale.

“Numri i tifozëve dhe afërsia ndikojnë shumë në përhapjen e infeksionit. Organizatorët të përgjigjen, prevalon shumë herë ndjenja kombëtare dhe ju kujtohet shumë mirë që shumë shtete e bënë ‘Evropianin’ me kapacitet të plotë dhe e patën efektin në rritje të të infektuarve. Nuk duhet të tregojmë se kush e ka fajin, se të gjithë ata qytetarë e dinë që kush e ka fajin. S’ke pse lë aq njerëz kur në fuqi rregullat janë në 30% e kapacitetit? Duhet të ishte kërkuar maska me ngulm, pasi tek-tuk kishte maska, por jo në masën e madhe. Pas 2 -3 javësh duhet të shikojmë rastet”, përfundoi Brataj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.