Berisha i shkruan ‘Vatrës’: Veprimi i SHBA aksidental, por unë i sfidoj trilluesit

Ish-kryeministri, Sali Berisha i është drejtuar me një letër falenderimi Bordit Ekzekutiv të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, “Vatra”, pasi kjo e fundit e mbrojti publikisht për shpalljen ‘non grata’ nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Në letër, ndërsa thekson se një masë e tillë e aplikuar e ka lënduar shumë, Berisha shkruan se se ndaj tij nuk ka asnjë akuzë dhe marrja e këtij vendimi është aksidentale.

” Një masë e tillë e aplikuar ndaj familjes time dhe ndaj meje përsonalisht, më ka lënduar shumë. Kjo përveç tjerash edhe se ndjehesha dhe ndjehem luftëtari më i paepur kundër komunizmit në Shqipëri, i asaj ideologjie dhe sistemi kriminal të cilin Ronald Regan e ka quajtur “Perandoria e të Keqes”. Po ashtu ndjehem edhe miku më i madh i Juaji dhe i atdheut tuaj të dytë, SHBA- së. Shpalljen time, person ‘non grata’, e konsideroj si një veprim aksidental, të ndërmarrë tërësisht pa bazë, pa fakte dhe pa prova. Nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk ekziston asnjë akuzë e adresuar ndaj meje, bashkeshortes dhe fëmijëve të mi prej ndonjë entiteti ligjor as në Shqipëri dhe as në botë. Gjithçka në atë vendim është bazuar në trillime të sajuara prej atyre që në vitet 1990 flaknin flamurin amerikan si leckë ndërsa sot hiqen si dashnorët më të mëdhenj të vendit tuaj.

Ata që kanë trilluar fallcitete të tilla, çdo gjë mund të jenë por jo miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ata janë armiq të demokracisë dhe lirisë për të cilën ne luftuam së bashku me ju vatranë të dashur, që në ditët e fundit të dhjetorit 1990 e deri më sot. Kapja e shtetit sot shkon në drejtim krejt të kundërt me atë që Ju ëndërronit dhe ne punuam për Shqipërinë”, shkruan Berisha.

Ndër të tjera në letër Berisha shkruan se të gjithë ata që në atë kohë ishin kundërshtarët më të egër të Amerikës, e kanë ndërruar lëkurën e ujkut dhe në një mënyrë iluzicioniste dhe të paqartë për Amerikën e vërtetë. Sipas tij janë maskuar dhe shiten si miq të Amerikës.

” Fatkeqësisht, tërë ata që në atë kohë ishin kundërshtarët më të egër të Amerikës, e kanë ndërruar lëkurën e ujkut dhe në një mënyrë iluzicioniste dhe të paqartë për Amerikën e vërtetë, janë maskuar dhe shiten si miq të Amerikës. Ndërkohë, njerëzit tuaj, të persektuar për gjysëm shekulli vetëm se e donin Amerikën, dhe ju kishin juve atje, sot janë thjeshtë të shokuar, të tëhuajtur në vendin e tyre, të pashpresë dhe të paqartë me qëndrimet toleruese që mbahen nga ata që më kanë shpallur mua ‘non grata’ ndaj keqbërjeve të falangave post – komuniste, në Shqipërinë e sotme”.

Ish kryeministri thotë se do t’i sfidojë sipas tij trilluesit e një vendimi të tillë.

“Dua t’ju siguroj, të dashur vatranë, patritotë, shqiptaro – amerikanë, se nuk do t’ju zhgënjej kurrë! Ju siguroj se shpallja ime persona ‘non grata’, nuk e zbeh besimin tim të patundur te miqësia që kam personalisht, familjarisht dhe politikisht me Amerikën dhe me Juve. Ndërkohë ju siguroj që nuk do t’ju zhgënjej në besimin që ju keni se asnjë nga hamendjet që janë dhënë në atë arësyetim të thatë dhe atë vendim absurd, nuk qëndrojnë. Unë i sfidoj trilluesit e një vendimi të tillë me mbrojtjen ligjore, me nderin dhe dinjitetin tim dhe të familjes time, me krenarinë e një patrioti shqiptar, dhe të një dashamirësi të patundur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Kujtojmë se në deklaratën e saj “Vatra” ndërsa shprehte besimin tek institucionet amerikane, theksonte se vendimi më shumë sesa i bazuar mbi parimet amerikane, është marrë nën trysninë e disa grupeve lobiste për interesa të caktuara.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.