Berisha: Bashën nuk po e vë në pozitë, do përmbush misionin tim

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se ka folur me Bashën pas deklaratave të Yuri Kim, por tha se nuk i ka kërkuar gjë kryedemokratit.

Berisha shtoi se Bashën nuk po e vë në pozitë, pasi në pozitë të vështirë për të do të ishte nëse Berisha nuk do t’u qëndronte parimeve për dinjitetin njerëzor.

“Kam folur me Bashën pas deklaratave të Yuri Kim. Basha nuk më tha gjë, as i kërkova gjë. Unë jam në misionin tim të besuar nga qytetarët, sepse PD nuk mund të dhunojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Unë ftoj cilindo përfaqësues të SHBA-ve dhe çdo person tjetër që të paraqesë një fakt të vërtetë kundër meje, por ato nuk ekzistojnë.

Bashën nuk po e vë në pozitë. Pozitë e vështirë për të do të ishte nëse nuk do të qëndroja për dinjitetin njerëzor. Një parti që nuk qëndron për këto parime, meriton të mos ekzistojë. Kjo është e qartë për çdo demokrat”, tha Berisha duke shtuar se nuk ka dyshime se do te jetë pjesë e parlamntit të ardhshëm.

“Unë nuk e di se cilat janë motivet e sulmit politik dhe kërcënimit që zonja Kim i lejon vetes të bëjë, por unë u them shqiptarëve se asgjë nuk lëkund Sali Berishën në përmbushjen e misionit të tij të mbrojtjes së interesit shqiptar në Parlamentin e Shqipërisë.

Nuk kam asnjë lidhje me protokollin e parlamentit. Unë jam deputet që do të ulem krenarisht në vendin tim me një motivim më të madh se ndonjëherë tjetër. Se cili është vendimi që do të marrin ambasadorët, është në tagrin e tyre”, tha ai.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.