Basha: Raporti i OSBE-ODIHR, vula e turpit për zgjedhjet

Për kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, raporti i OSBE-ODIHR është “vula e turpit” për zgjedhjet e 25 prillit.

Në një konferencë të posaçme për mediat, ai tha se u vërtetuan ato që PD ka denoncuar.

“Asnjë nga krimet elektorale nuk është ndëshkuar”, shtoi ai.

“25 Prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ishte një masakër zgjedhore, këtë e kemi thënë prej ditës së parë, këtë e panë shqiptarët që kërkonin ndryshimin por që u pengua, me hile, dhunë dhe shantazh. Këtë e di e gjithë bota demokratike. Raporti është vula e turpit. Blerje masive dhe presion ndaj votuesve, e kemi thënë ne dhe raporti. Shkrirja në një e partisë në pushtet dhe shtetit, e kemi thënë ne, e thotë edhe raporti.

Keqpërdorimi i asesteve publike, abuzimi me pushtetin dhe funksionet publike, rritje fiktive e punësimit, presion mbi punonjësit për të votuar partinë në pushtet, përdorimi i fondeve të rindërtimit, legalizime në këmbim të votës, e kemi thënë ne, e konstaton edhe raporti.

Vjedhja e të dhënave private nga partia në pushtet dhe patronazhistët, e kemi thënë ne, e ka zbuluar media, e konstaton edhe raporti. Kemi depozituar 185 padi në SPAK dhe prokuroritë e rretheve, por asnjë krim elektoral nuk është ndëshkuar. Nuk po fërkojmë duart nga gëzimi se na doli fjala, pasi në 25 Prill nuk u dëmtua PD, por Shqipëria dhe shqiptarët’ tha Basha.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.