Topi: Basha nuk do të ishte në PD pa lidhjet me Berishën

Ish-Presidenti Bamir Topi tha se Lulzim Basha nuk do të kishte jetë në Partinë Demokratike, nëse nuk do të kishte lidhjen me ish-kryeministrin Berisha.

Sipas tij, duke mbajtur në krye të PD-së Bashën, në këtë mënyrë Rama mban dhe Berishën, për ta përdorur si një krahasim për t’i thënë popullit “shikoni çfarë ju pret”.

Më tej, ish-Presidenti shtoi se Basha nuk dukej si një lider opozite që kërkonte rotacion, por kishte marrë rolin e një kryeministri, strategji që rezultoi e gabuar.

“Në natyrën time e inkurajoj tjetrin, por duke i treguar se rruga është e vështirë. Të gjithë bashkëpunëtorët i kishin treguar një rrugë të lehtë.

Patjetër merret në konsideratë numri, teknologjia, strategjia, taktika elektorale etj. Kishte dy momente: një pakënaqësi që ti e shikoje kudo dhe një pamundësi për ta kthyer këtë pakenaqësi në fitore.

Nuk dukej një kryetar opozite që kërkonte rotacionin, por dukej një kryeministër. Kjo i ka interesuar Ramës. Ai kishte infrastrukturën, pushtetin legjislativ, atë ekzekutiv, pushtetin lokal dhe infrastrukturën zgjedhore.

Imagjino një ushtri që i ka të gjitha mjetet dhe një kundërshtar që s’ka mjete. Nuk e imagjinoja se do shkonte kështu. Nuk më ka pëlqyer kurrë të intoksikoj në një situatë për atë që unë mendoj. Kjo analizë vlen, sepse gjërat nuk përfundojnë këtu. 12 vite janë shumë.

Megjithatë, në aspektet e zhvillimet e një vendi janë pak. Ne na kanë ikur 30 vjet. Po të na thonte dikush para 30 viteve ne nuk do shkojmë në Evropë, atë që do na e thonte do e kapnim në shkelma.

Duke stimuluar Bashën, Rama stimulon dhe atë lidhjen tjetër Basha-Berisha. Basha, për mendimin tim, nuk mund të ketë jetë në PD, nëse nuk do kishte lidhjen me Berishën. Kjo lidhje është lidhje interesash. Duke tentuar të mbajë Bashën, Rama kërkon të mbajë Berishën. Duke mbajtur Berishën, gjithmonë ka një motiv me të cilin ai krahasohet, duke thënë ‘shikoni çfarë ju pret’.

Të gjithë ata që janë larguar e kanë me Lul Bashën. Nuk mendoj se është vetëm Luli. Është një lloj mekanizmi tjetër. Luli është njeriu i caktuar për ta interpretuar rolin. Po të kishte qenë Luli në të gjithë vendimmarrjen e vet, unë do të kisha qenë i lumtur për demokracinë në Shqipëri. Pse? Do rrëzohej njëherë, do mësonte. Do rrëzohej me ata njerëz, do tentonte të afronte njerëz të aftë”, u shpreh Topi.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.