Balla, thirrje opozitës: Keni kohë deri nesër

Nga Fierit, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka folur për negociatat me opozitën për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Ai tha se deri nesër në orën 16:00 opozita ka kohë të depozitojë zyrtarisht në Kuvend emrin e kandidatit, apo kandidatëve.

“Ne jemi te gatshëm të mirëpresim kandidaura që vijnë nga opozita. Deri më sot nuk kemi marrë asnjë propozim zyrtar nga opozita. Nëse këto propozime na vijnë, ne do të themi opinionin tonë për kandidaturat. Por për të shkuar më pas në seancë dhe deri nesër ora 16:00 koha është, që kandidatura të depozitohet zyrtarisht, pastaj Kuvendi të shprehet me votë.

Duhen firmat e mbështetësve të deputetëve, Kushtetuta thotë 20. Në rast se paraprakisht duan një vlerësim tonin janë të mirëpritur t’i nisin. Të gjejnë mënyrën, me një shkresë, si të duan ata. Ne i garantojmë që çdo propozim të tyre do ta marrim me shumë seriozitet e do ta vlerësojmë.

Presidenti i Republikës përfaqëson, sipas neneve kushtetuese, unitetin e popullit dhe duhet të jetë i ndarë nga partitë politike. Prandaj PS ka thënë prej ditës së parë që nuk duam një president të Partisë Socialiste, por të të gjithë shqiptarëve. Dhe pastaj dhe PD e gjithë të tjerët nuk mund të kërkojnë një President të tyrin, siç kemi bërë debat me zotin Alibeaj.

PS do t’i qëndrojë asaj që ka ranë dakord. Nuk do të propozojmë asnjë kandidat, as të hënën më datë 23, as të hënën më datë 30. Ne u qëndrojmë marrëveshjeve dhe ndaj shqiptarët u qëndrojnë marrëveshjeve me ne, sepse kemi bërë gjithçka që jemi angazhuar, natyrshëm duhet dhe mund të kishim bërë më shumë. Por siç e kemi thënë gjithmonë, ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”, tha Balla.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.