Alibeaj: Analiza në PD nuk është “gjueti shtrigash”, por reflektim real

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka sqaruar se si do bëhet analiza brenda Partisë Demokratike pas humbjes së PD në zgjedhjet e 25 e Prillit. Alibeaj tha se analiza nuk ka për qëllim të kthehet në gjyq por për të nxjerrë mësime nga rezultati i zgjedhjeve.

“Për një parti të madhe si është PD bën sens që të bëhet një analizë reale e domosdoshme. Është një kulturë që duhet të bëhet edhe nga partitë e tjera. 25 prilli ka nxjerrë disa konkluzione të mëdha për rezultatin që qe një masakër e pastër zgjedhore.

Momenti i analizës për të mos qenë një gjyq. Analiza ka një synim tjetër, mediatikisht, është krijuar një panoramë e plotë për atë që ndodhi në 25 prill. Shtetin e shndërroi në një ushtri dhe armatë elektorale. Ajo që është më e rëndësishme është kjo”, tha Alibeaj.

Ai u shpreh se PD duhet të perfeksionohet për t’i ballë çdo sfide në të ardhmen.
“Në anën tjetër PD duhet të perfeksionohet për t’i bërë ballë në të ardhmen. Çdo strukturë e PD do i nënshtrohet analizës. Strukturat do të shprehin si e kanë parë ata angazhimin apo ndoshta dhe mangësitë e tyre në një dialog që është i hapur. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të gjetur perfeksionimin. Drejtuesit politikë do i nënshtrohen kësaj analize. Dini proces më të mire analize se votimi?”, deklaroi ai.

Faza e parë e analizës tha Alibeaj, do të mbështetet në arsyet pse u arrit dhe pse nuk u arrit objektivi i PD në disa më 25 prill. Ai u shpreh se selia blu nuk do bëjë “gjueti shtrigash” për të përjashtuar ata që nuk arritën objektivin në zgjedhje, por shtoi se do marrë jetë fjala meritokraci.

“Faza e parë, strukturat e partisë do të flasin. Deri në datën 1 korrik. Para çdo gare elektorale vendoset objektivi me të cilin matesh, Rezultatin aktual ne e kemi në të gjithë republikën. Ata që kanë arritur objektivin kanë të drejtë të thonë arsyet që përdorën për të rritur rezultatin. Ata që nuk e arritën objektivin kanë të drejtën të thonë që ishte për shkak të mos angazhimit tonë apo arsye të tjera. Do thonë nëse ka ndodhur që janë shpërndarë para. A ka ndodhur të ketë pasur kriminelë. Do e thonë ata.

Nga ana tjetër, duhet të dini se ky përshkrim në degë dhe në qendrën e PD ka pasur mekanizma që e kanë monitoruar gjendjen në totalin e tyre. Kjo besoj do na çojë në modelet e mira. Ne nuk do bëjmë gjueti shtrigash. Ne nisemi nga ideja për të gjetur shkaqet reale të këtij rezultati. Nëse ndodh që drejtues të caktuar kanë pasur mundësi por nuk i kanë shfrytëzuar, gjatë muajit shtator pasi të ketë përfunduar e gjithë analiza, në funksion edhe të shkrirjes apo hapjes së dyerve ndaj publikut do ketë mundësi edhe për të angazhuar më të mirët e më të mirëve.

Partia Demokratike është shtëpia e të gjithëve. Por fjala ‘meritokraci’ do marrë jetën. Analiza, thelbin e ka të nxjerrë të vërtetën në shesh për angazhimin e secilit. Unë besoj që në situate të rëndësishme njerëz që marrin përgjegjësi të mëdha për t’i bërë ballë të keqes duhet të jenë në krye të punëve”, theksoi Alibeaj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.