A do ndiqen nga SPAK të shpallurit “non grata”? Ja ç’thotë Arben Kraja

Pas kryeprokurorit Olsian Çela, po raporton në Kuvend kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja.

Mes të tjerash, Kraja është pyetur nga deputeti Ralf Gjoni se çfarë do të ndodhë me personat e shpallur “non grata” nga SHBA, nëse do të nisë hetimi ndaj tyre.

Në përgjigjen e tij, Kraja tha se çdo lloj informacioni apo materiali që të vijë në SPAK nga Shtetet e Bashkuara, do të hetohet dhe do t’i shkohet deri në fund.

Pjesë nga debati:

Ralf Gjoni: Para se Donald Lu të ikte nga Shqipëria i kam thënë: “Don, shqiptarët duan sundim ligji, jo sundim Lu-je”.
Ruçi: Nuk është etike që z. Kraja qëndron aty dhe ju kërkoni të bëni pyetje dhe bëni shpjegim. Urdhëron pyetjen.

Gjoni: Shpresa më e madhe e shqiptarëve është që SPAK të fillojë të funksionojë. Kur mendoni se do të vijë kjo ditë, që shqiptarët të keni besim të plotë te SPAK? Kur do fillojnë të procedohen penalisht “peshqit”? A do ketë hetime në 2-3 vitet e ardhshme ndaj përfaqësuesve të krimit, që sot ende bëjnë ligjin? Nga lista e personave “non grata”, Shqipëria është ndër të paktat vende ku këto persona nuk kanë pasur një procedim penal para se të shpalleshin “non grata”, a mund të kemi shpresë çdo veprim “non grata” i SHBA do të ndiqet nga ana juaj?

Kraja: Në lidhje me pyetje e parë, është një proces, do kohën e vet, se kur SPAK do të fillojë të ketë rezultate. Prokuroria e Posaçme duhet të ketë parasysh se ndëshkueshmëria dhe respektimi i të drejtave të njeriut shkojnë paralel. Ne kemi dhënë rezultatet e para, janë goditur grupet e para. Bashkëpunojmë me të gjitha strukturat, me Policinë, por edhe me faktorin ndërkombëtar. Rezultate ka pasur. Pritshmëritë e njerëzve janë nga më të mëdha, ne ndeshemi aty edhe me gjëra që nuk kanë lidhje fare me punën tonë. Por ne jemi të vendosur që çdo rast që do të evidentohet, do ta hetojmë deri në fund, pa asnjë tërheqje. Ndërsa për pyetjen e dytë, lista është një proces që ndodh në SHBA, ne jemi në Shqipëri dhe kemi parashikimet tona për një procedim penale e si shkohet deri te gjykata. Çdo indicide, apo material që do të kemi ne në dispozicion, në raport me çdo shtetas shqiptar, pa diskutim që jemi të vendosur për ta çuar hetimin deri në fund. Çfarëdo që do të vijë, përfshirë dhe partnerët ndërkombëtar.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.