’41 sekretet’/ At Nikolla: Janullatos më ka kërcënuar

Prej ditës së sotme, në stendat e Panairit të Librit është edhe libri “41 sekretet” i shkrimtarit e publicistit Ben Blushi.

Pjesë e bisedave të shkrimtarit është edhe një rrëfim i At Nikolla Markut, prift ortodoks në dioqezën e Shën Mërisë.

At Nikolla i ka rrëfyer Blushit se Kryepeshkopi Anastas Janullatos e ka kërcënuar se do ta vrasë.

Publikisht At Nikolla e ka akuzuar Kryepeshkopin për “shkelje të statusit kishtar në favor të shovinizmit grek”, por edhe për “ndërtimet e restaurimet e kishave në stilin grek”.

Ndërkohë që sekreti i dytë që ai i ka besuar Blushit ka të bëjë me jetën e tij private, kur i ka thënë se është djali i padeklaruar i kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kristofor Kisi.

Një ditë më parë, u publikua një histori e rrëfyer nga Blushi gjatë kohës që ai ishte në klasën e tretë.

Ka qenë viti 1977 kur Ben Blushi dhe analisti Andi Bushati, të dy shokë të klasës së tretë vodhën numëratorin telefonik të Komitetit Qendror të Partisë.

Pjesë e këtij numëratori ishte edhe numri sekret i Enver Hoxhës, i cili ishte në dorën e shumë pak personave.

Blushi tregon në librin e tij “41 sekretet”, se së bashku me Bushatin e shpërndanë numrin e diktatorit në klasë dhe për disa ditë nxënësit që kishin telefon në shtëpi, i binin numrit e nëse dikush përgjigjej nga ana tjetër, ata e mbyllnin receptorin.

Vjedhja e numrit sekret të Hoxhës vuri në lëvizje të gjitha institucionet që garantonin sigurinë e tij, derisa u siguruan se kjo ishte vetëm një lojë kalamajsh të klasës së tretë e jo një kërcënim për jetën e diktatorit.

Në librin e tij, Blushi rrëfen gjithashtu biseda të pa publikuara më parë me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, aktorin Robert Ndrenika dhe botuesin Nikollë Lesi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.