28.6 milionë euro/ KESH, dy tenderë në 24 orë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) e ka nisur gushtin me shpenzime marramendëse, duke hapur një sërë tenderësh brenda pak ditësh për të blerë energji.

Brenda 24 orëve, KESH ka hapur dy tenderë të tjerë, që kapin vlerën e 28.6 milionë eurove. 

Mëngjesin e sotëm, Korporata hapi një tender, përmes të cilit bleu 10 152 Mwh, me një çmim mesatar prej 408.37 euro/Mwh. Ndërkohë që, pak orë më parë janë publikuar procedurat për kryer një tjetër procedurë blerjeje, më datë 8 gusht, për 50 754 Mwh, me një çmim mesatar prej 482.34  euro/MWh ose rreth 74 euro më shtrenjtë se procedura e dy ditëve më parë.

Në total, për këto dy blerje janë shpenzuar rreth 28.6 milionë euro, ndërsa fatura vetëm për muajin gusht përllogaritet në 46.6 milionë euro.

Blerja e energjisë me baza ditore apo javore ka prekur drejtpërdrejt Korporatën Elektorenergjetike Shqiptare nga rritja e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare. Kjo pasi, mungojnë kontratat afatgjata për blerjen e energjisë, që mund të ishin siguruar në periudha kur çmimet ishin më të favorshme.

Sigurimi i kontratave afatgjata të energjisë deri në 3 vjet ishte një nga pikat kryesore të vendimit të qeverisë, që u miratua në tetor të vitit të kaluar në kuadër të emergjencës së furnizimit me energji të shpallur nga Këshilli i Ministrave e që synonte përballimin e situatës. Por, pavarësisht kësaj ai nuk është zbatuar, ndërsa fatura për blerjen e energjisë deri tani, sipas shifrave të publikuara nga KESH së bashku me dy blerjet e fundit për gushtin përllogaritet në 235.6 milionë euro.

Në bursa, energjia ka arritur çmime rekord ku një megavat/orë është shitur me mbi 500 euro dhe kjo ka detyruar Korporatën të rihapë një tender të dytë për të plotësuar kërkesën.

Ndërkohë, prurjet në Fierzë kanë rënë ndjeshëm, për shkak të mungesës së reshjeve.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.