Zv. drejtori i Policisë: Vrasjen e të riut po e heton prokuroria, jemi në anën e qytetarëve
Numri 2 i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, në një lidhje me skype në “Top Talk” ditën e sotme ka komentuar përfshirjen e policisë në vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, orët e para të datës 8 dhjetor.
Ai thotë se institucionet e policisë janë vënë në lëvizje për të zbardhur çështjen, si Prokuroria e Rrethit Gjyqësor apo Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesat.
Dervishaj thekson se, policia nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vrasëse, por është në krahun e qytetarëve. Ai thekson se ky imazh i krijuar me mund, gjak e sakrificë do të kurohet.
“Ngjarja e ditës së djeshme është një rast domethënës që çdo individ, çdo punonjës duhet të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin. Policia e Shtetit nuk do të lejojë që imazhi i saj i ndërtuar me mund, sakrifica e gjak të cenohet nga veprime sporadike të izoluara të individëve të veçantë në shkelje të ligjit apo procedurave standarde të saj. Kemi filluar analizat në çdo drejtori vendore të policisë, ku do të evidentojmë të gjitha problematikat dhe defektet. Ne nuk kemi pasur më parë një rast të tillë specifik. Është bërë e njohur se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor dhe Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesat kanë filluar hetimet, kanë kryer veprimet për këqyrjen e vendit të ngjarjes, është dhënë masë arresti në flagrancë të autorit dhe në ditët në vijim kjo masë do të vlerësohet. Për disa vite me radhë kam punuar dhe po punoj që të rris forcimin e besimit të publikut. Në veprimtarinë e saj policia nuk e ka në praktikë përdorimin e armës ndaj qytetarit. Policia, strukturat do të punojnë që ta kurojnë këtë imazh. Policia nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një polici vrasëse. E ka paguar me jetën e 202 punonjësve të saj të rënë në krye të detyrës”, tha Dervishaj.
Sorry, the comment form is closed at this time.