Zhdukja e Pecorellit, çfarë kanë zbuluar hetimet e italianëve
Lajmi i zhdukjes së biznesmenit italian Davide Pecorelli në Pukë është lajm kryesor në mediat italiane, sipas të cilave, nga hetimet e autoriteteve të tyre janë zbuluar tre elementë të rëndësishëm.
Së pari, partnerja e tij shqiptare, me të cilën Davide kishte një djalë, ia ka besuar çështjen avokatit Giancarlo Viti, i cili përfaqëson atë dhe të miturin si palë të prekura në këtë situatë.
Elementi i dytë i referohet ADN-së dhe mosrespektimit të afateve në lidhje me dërgimin e tyre në Itali.
Siç shkruajnë mediat fqinje, mostrat e ADN-së së Pecorellit nuk kanë arritur ende për të bërë krahasimin me ADN-në e vëllait të tij, Antonello. Prandaj, “informacionet nuk vijnë në kohën e duhur nga policia shqiptare”.
Së treti, ditët e fundit është bërë publike dëshmia e një miku të tij, i cili tregonte se Pecorelli ishte entuziast për biznesin e tij në Shqipëri: “Unë u takova me Daviden në fund të vitit, duke folur për punë dhe ai konfirmoi interesin e tij për të gjetur partnerë në Shqipëri, në mënyrë që të prodhonte mallra me markën ‘Hairdressers Milan’. Por jo vetëm kaq, Midis tetorit dhe nëntorit, nga sa kam mundur të kuptoj, këta ‘partnerë’ të mundshëm kishin ardhur në Itali dhe në fakt ai më kishte thënë një mbrëmje se kishte një takim të rëndësishëm…”.
Ish-gjyqtari i futbollit mbërriti në 3 janar në Shqipëri. Ai shkoi në Vlorë dhe më pas në Shkodër me destinacion përfundimtar Pukën, ku qëndroi për dy net. Më 6 janar Davide humbi kontaktet me të afërmit, dhe nuk dihet nëse eshtrat në makinën e djegur i përkasin atij.
Sorry, the comment form is closed at this time.