Vrau aksidentalisht shokun e tij, 27-vjeçari dëshmon në Polici: Na qëlluan…
27-vjeçari Klodian Kola që dyshohet se ka vrarë aksidentalisht shokun e tij, 22 vjeçarin Elidon Basha, me të cilin kishte dalë për gjah, mohon të jetë ai autori.
Para hetuesve dhe oficerëve të Policisë, Kola ka thënë se nuk e ka qëlluar ai Elidon Bashën, por drejt tyre është qëlluar nga persona të tjerë. 27 vjeçari ka thënë se ka qenë ai që pas plagosjes e ka marrë Elidonin dhe e ka çuar në spital, por ai fatkeqësisht ka ndërruar jetë nga gjakderdhja.
Ndërkohë, sipas Policisë mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:30, në një kodër të fshatit Fushë Bulqizë, shtetasi Klodian Kola së bashku me shtetasin Elidon Basha kanë qenë duke gjuajtur me armë gjahu çifte, ku për pasojë 22 vjeçari Basha është plagosur. Ai është trasportuar me urgjencë drejt spitalit të Traumës, por fatkeqësisht ka humbur jetën rrugës, dhe në orën 03.30 të mëngjesit të sotëm ka mbërritur i vdekur.
Në vendin ku Klodian Kola plagosi aksidentalisht shoku, sipas Policisë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e gjahut, një elektrik dore, motomjeti me të cilin këta shtetas kishin shkuar për gjueti dhe sende të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.
Arma e gjahut do t’i nënshtrohet ekspertizës për të parë nëse ka qenë Klodian Kola ai që ka qëlluar aksidentalisht shokun e tij Elidon Basha, apo do të vërtetohet pretendimi i tij se ndaj dy të rinjve që kishin dalë për gjah është qëlluar nga persona të tjerë.
Lexo edhe- Bulqizë/ Kishin dal për gjah, vret shokun 22-vjeçar
Sorry, the comment form is closed at this time.