HETIMET/ Vrasja e policit special, arrestohet një nga autorët (emri)

Një person ka përfunduar në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohen për vrasjen e efektivit të policisë Xhulio Prela. Mësohet se autori i dyshuar i vrasjes është Nikoll Sherrniku.

Polici special Xhulio Prela u vra me armë zjarri më 5 dhjetor, në aksin rrugor Milot-Lezhë.

Policia njoftoi zyrtarisht se “si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit N.Sh. dhe B.M”. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta pas një konflikti të çastit midis tyre.


Njoftimi

Zbardhet vrasja e punonjësit të policisë, XH.P, ndodhur më 05.12.2020 ,në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush.

Grupi i posaçëm hetimor, pas një pune intensive, profesionale dhe hetimore bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes, ku mbi bazën e provave të grumbulluara u identifikuan dy autorët e dyshuar të ngjarjes.

Pasditen e djeshme, policia vuri në pranga njërin prej autorëve të dyshuar të vrasjes, si dhe shpalli në kërkim bashkëautorin tjetër.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi Xh.P.,punonjës i FNSH-së në Shkodër, policia ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Lezhës.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit N.Sh.dhe B.M.

Policia bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit N.Sh., dhe në përfundim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila ka vendosur për autorët e dyshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtja pa leje”.

Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe bashkautori tjetër, shtetasi B.M, ku në bashkëpunim me homologët po vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Nga tërësia e veprimeve dyshohet se shtetasit e lartpërmendur kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Xh.P, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.