Përgjimet e bujshme, SPAK nis hetimin për 4 vepra penale

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), më datë 25.01.2021 ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.17/2021, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 259, 333/a, 287 – 28/4 dhe 334 i Kodit Penal.

Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë mbi bazën e disa artikujve të publikuara në media të ndryshme, në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros në Republikën e Italisë, të cilat hedhin dyshime në lidhje me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në Republikën e Shqipërisë,

Në kuadër të sqarimit të rrethanave dhe fakteve që lidhen me objektin e hetimeve të këtij procedimi penal, sot me datë 04.02.2021 në selinë e Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë, u zhvillua një takim koordinativ.

Takimi u realizua nën drejtimin e zotit Federico Cafiero de Raho, drejtues i Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm (Itali) dhe zotit Arben Kraja, drejtues i Prokurorisë së Posaçme (Shqipëri), me pjesëmarrjen dhe të prokurorëve italianë dhe shqiptarë që hetojnë këto dy procedime penale në shtetet respektive.

SPAK garanton publikun se “është e vendosur për të hetuar deri në fund çdo element dhe fakt që përbën indicie për veprimtari kriminale të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që lidhet me objektin e hetimeve të kryera deri tani nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.