Parandalimi i krimeve mjedisore, intensifikohen kontrollet në të gjithë vendin

 Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, në një konferencë për shtyp foli për masat e marra nga policia për parandalimin e krimeve mjedisore dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve

Sipas Dervishaj si rezultat i  intensifikimit të veprimeve janë parandaluar ndërtime pa leje, janë prishur furra artizanale të prodhimit të gëlqeres, që përdorin kryesisht goma të automjeteve për djegie, janë konstatuar dhjetëra raste të prerjes së paligjshme të pyjeve, gërryerjes së lumenjve dhe ndotjes së tyre apo të hedhjes së inerteve, që shkaktojnë ndotje të ajrit. Në këtë kuadër janë proceduar dhe arrestuar personat përgjegjës të këtyre krimeve mjedisore.

Vetëm dy javët e fundit, si rezultat i kontrolleve  në të gjithë vendin  janë evidentuar 215 vepra penale në fushën e mjedisit, për të cilat strukturat e Policisë kanë angazhuar 1456 punonjës policie, për parandalimin dhe zbulimin e tyre.

Në këto krime mjedisore janë përfshirë 213 autorë të veprave të ndryshme penale, nga të cilët 23 janë arrestuar në flagrancë, 184 janë proceduar në gjendje të lire dhe 6 janë shpallur në kërkim.

Vetëm për 24 orët e fundit janë evidentuar 6 raste që kanë të bëjnë kryesisht me veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, ku janë konstatuar kamionë që transportonin inerte, të cilat i kanë hedhur jo në vendet e përcaktuara, por kryesisht buzë rrugëve dhe lumenjve. 

Po kështu, shqetësuese mbeten ndërtimet pa leje, janë evidentuar 97 raste të tilla; prerja e paligjshme e pyjeve, janë evidentuar 55 raste dhe janë sekuestruar rreth 100 metër kub lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme. Po kështu shqetësuese janë edhe gërryerja e lumenjve, djegia e gomave dhe e mbeturinave, duke shkaktuar ndotje të ajrit.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.