Me shpejtësi rrufe, në trotuar. Makina i këput këmbën kalimtares

Detaje të tjera janë publikuar lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi pasditen e sotme në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Kinostudios në Tiranë, ku një “Benz” luksoz me targa AA 888 XX i drejtuar nga një adoleshent 19-vjeç, doli nga rruga si pasojë e shpejtësisë duke përplasur një vajzë, që po ecte në trotuar.

Sipas burimeve nga spitali, vajza rreth të 30-ve ka humbur njërën nga këmbët nga goditja e “Benz”-it që e mori përpara me shpejtësi rrufe.

Mësohet se e plagosura, e cila është dhe shtatzënë, është futur në sallën e operacionit dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Sipas dëshmive të kalimtarëve të pranishëm në momentin e aksidentit, makina e drejtuar nga i riu që nuk kishte konsumuar alkool, pasi aksidentoi të renë, u përplas me një zyrë noterie dhe këputi një pemë.

Të terrorizuar dhe me duart në kokë nga ajo që u panë sytë, qytetarët shprehen se “vajza ishte në rrugën e vet dhe tani mbeti pa këmbë e shkreta”. Ndërkohë që shpejtuan për t’i dhënë ndihmën e parë.

Drejtuesi i mjetit u shoqërua në ambientet e Komisariatit nr.4, për veprime të mëtejshme hetimore. Ndërsa grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe sipas policisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.