4 të arrestuar/ Trafikonin kanabis me skaf nga Liqeni i Pogradecit

Policia bën të ditur se ka shkuar në katër numri i të arrestuarve të operacionit “Hudenishti”.

Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Tushemisht dhe Komisariatit të Policisë Pogradec, në liqenin e Pogradecit, u konstatua një mjet lundrues tip skaf, me të cilin autorët e dyshuar, po trafikonin drejt Maqedonisë së Veriut, një sasi prej 38 kg. lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Më herët, më 8 gusht policia sekuestroi një sasi prej 23 kg kanabis ku i përfshirë ishte dhe një polic i FNSH-së.

Lexo edhe- Sekuestrohet 23 kg kanabis në Pogradec, i përfshirë një polic i FNSH

Njoftimi zyrtar

Vijon operacioni policor i koduar “Hudënishti”.

Operacioni i zhvilluar pas një hetimi 4-mujor, si rezultat i bashkëpunimit midis Komisariatit të Policisë Pogradec, Stacionit të Policisë Kufitare Tushemisht, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve.

Shkon në 4 numri i të arrestuarve, 4 i atyre të shpallur në kërkim dhe 1 i proceduar penalisht.

Sekuestrohen 38 kilogramë të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Hudënishti”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, të finalizuar më datë 07.08.2021, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 2 shtetas, 3 të tjerë u shpallën në kërkim dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila do të trafikohej jashtë vendit, ka vijuar puna me hetime të thelluara për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i punës së mirëorganizuar nga strukturat e lartpërmendura, u bë e mundur ndalimi i shtetasve O. S., 31 vjeç, banues në Pogradec, K. D., 22 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec, u shpall në kërkim shtetasi L. Sh., 20 vjeç banues në Hudënisht dhe u procedua penalisht për​ veprën penale “Moskallëzimi i krimit” shtetasja E. H., 31 vjeçe, banuese në Pogradec.

Në bazë të informacioneve të siguruara gjatë periudhës hetimore, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Tushemisht dhe Komisariatit të Policisë Pogradec, në liqenin e Pogradecit, u konstatua një mjet lundrues tip skaf, me të cilin autorët e dyshuar, po trafikonin drejt Maqedonisë së Veriut, një sasi prej 38 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me skafin, një gomone, një automjet tip “Benz”, si edhe sende të tjera që​ kanë ndihmuar për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.