Efektivit të FNSH-së i zunë pritë, babai: Do priste një mik nga Anglia
Efektivi i FNSH-së, Xhuliano Prela u vra pas mesnatë në një pritë që i kishin bërë në aksin Lezhë-Milot. Sipas babait të të riut, ai po shkonte drejt Rinasit ku do të priste një mik të familjes që vinte nga Anglia.
“Hëngrëm darkë dhe në 12 të natës më tha do priste një mik të familjes sonë, që vinte nga Anglia. Nuk dyshoj tek ai. Do ta çonte në Shkodër. Në pesë të mëngjesit më morën në telefon dhe më thanë ka ndodhur diçka. Im bir nuk kishte probleme me askënd, ishte polic prej vitesh. Tani ishte dhe në punë dhe në shkollë për gradë”, rrëfehet ai për Top Channel.
Xhuljano kishte dalë nga shtëpia e tij, sipas burimeve, pas një telefonate të marrë, ndërsa në autostradë autorët e kanë ndaluar dhe i kanë nxjerrë pistoletën. 26-vjeçari sapo e ka konstatuar është munduar të largohet, por një plumb e ka kapur ne trup.
Automjeti i tij përfundoi në një parcelë aty pranë, gjë e cila bëri që në fillim kjo ngjarje të raportohej si një aksident. Gjatë kontrolleve në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoja dhe një celular.
Prela, me origjinë nga Puka ishte student në Akademinë e Policisë Tiranë në vitin e 3-të. I ndjeri ka punuar dy vite në Komisariatin e Policisë Lezhë, ndërsa prej një viti ishte transferuar në FNSH-në Shkodër.
FNSH Shkodër dhe forcat speciale RENEA kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Sorry, the comment form is closed at this time.