Dronë dhe agjentë të infiltruar zbulojnë 7 pika ku shitet kanabis në Tiranë

Grupet kriminale që merren me shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza të vogla, e kanë shtrirë aktivitetin e tyre në të gjithë Tiranën. Por, për Policinë e kryeqytetit, shtatë janë pikat më të nxehta.

Kryesisht zonat periferike janë më problematiket. Duke filluar nga Yzberishti, ish-parku i autobusëve, në Laprakë, ish-stacioni i trenit, zona e Brrylit, e deri në ish-bllok e në Qytet Studenti.

Uniformat blu kanë kryer kontrolle të imtësishme për kapjen e shitësve të doza të drogës. Një risi në këto aksione, janë përdorimi i dronëve për zbulimin e trafikantëve.

Të enjten policia informoi se zbuloi një grup të rinjsh që merrej me shpërndarjen e drogës në zonën e ish parkut, 17 janë arrestuar dhe 5 janë në kërkim.

Burime pranë policisë thanë për ABC se në shumicën e rasteve, për të zbuluar këto grupe është punuar me informatorë dhe agjentë të infiltruar si blerës të kanabisit.

Sipas të dhënave, vitin e kaluar policia arrestoi të paktën 80 persona që merreshin me shpërndarjen e drogës në doza të vogla. 20 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë pasi u kapën në flagrancë duke blerë doza. /abcnews/

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.